Arjana Stafa, e cila i mbijetoi dje një tentative për vrasje, ku pas saj fshihej nusja e djalit, ka sjellë të tjera detaje lidhur me ngjarjen në fjalë.
Në një intervistë për ‘News24’ 42-vjeçarja, e cila piu dje kos brenda të cilit nusja e saj 19-vjeçare kishte hedhur helm, pohon se nuk kishte asnjë konflikt me këtë të fundit.
Në një gjendje të rënduar, Arjana shton se nusen e kishte trajtuar shumë mirë. Ajo tregoi se pasi kishte pirë kosin, kishte rënë përtokë.
“Nusja më solli gotën me kos, vinte erë e tmerrshme. Pasi e piva pak u ndjeva keq dhe rashë në tokë. E pyeta çfarë kishte bërë,nusja më tha që kishte hedhur helm. Nusja më tha se e kishte bërë për arsye personale”, tha vjehrra e tronditur.
Si ndodhi ngjarja?
Unë isha në shtëpi. I thash: “Jepi mamit një gotë kos, mu tha goja”. Më pas e pyeta, se ‘ca është kjo erë’. I thash ka erë. ‘Është erë e tmerrshme’. Pasi e piva, i thash: “Si ma bërë këtë gjë’. Unë sa piva gotën desh vdiqa. I thash ‘pije ti’. ‘Jo tha nuk e pi’ më tha. E hodhi pastaj. Rashë në krevat. Më pas erdhi djali dhe më pyeti se ça kisha. Më çuan në spital
Të tregoi nusja se të kishte hedhur helm?
Po më tregoi që më kishte hedhur helm. Më tha se kishte marrë tek babai. E më tha se ‘e bëra për arsye personale, të trupit tim’.
Kishit konflikte me nusen?
Nuk kishim asnjë konflikt. Më mirë kam mbajtur atë sesa fëmijët e mi. Si kam bërtitur njëherë. Si kam thënë kurrë asnjë llaf të keq. Kjo që më ka bërë mua ajo.
A ja fal asaj?
Jo atë që më ka bërë mua?? Gjallë në botë. Atë që më bëri mua s’kam si e fal.
NGJARJA
Denoncimi në policinë e Shijakut është bërë nga vjehrra e 19-vjeçares mëngjesin e 1 korrikut. Arjana Stafa ka deklaruar se mbrëmjen e 30-qershorit ka përfunduar në urgjencën e spitalit të Durrësit me simptomat e një helmimi ushqimor. Nga analizat e kryera rezultoi se 42-vjeçarja ishte helmuar me një sasi të vogël helmi “Akravil”.
Pas trajtimit që mori në spital, ajo u kthye në banesë. Ishte nusja ajo që i tregoi vjehrrës se e kishte helmuar me ilaçin e mizave, të cilin ia kishte hedhur në gotën e kosit. E tronditur, vjehrra ka denoncuar nusen e djalit në policinë e Shijakut.
Nga ana tjetër kujtojmë se në dëshminë e saj Elda Tanushi 19-vjeç kishte deklaruar se ndaj saj kishte ofendime të vazhdueshme.
“Jam nga Dibra dhe nuk i kam bërë ende 6 muaj që jam martuar. Unë jam 19 vjeçe dhe im shoq është 20 vjeç. Sa u martuam, burri më tha që do të ikte në Greqi. Iu luta shumë të qëndronte, duke i thënë se jemi çift i ri. Qëndroi dy muaj, por prindërit e tij i thoshin: Ik, ik në Greqi se jemi fukarenj. Ai iku e më la në shtëpi me vjehrrën, me vjehrrin dhe vëllain e tij.
Vjehrra ma nxiu jetën. Më donte 24 orë në këmbë. Nuk i mjaftonte që punoja, por më ofendonte. Ajo nuk më do. Nuk më lë as të zë asnjë shoqe në fshat. Nuk bëhet fjalë për të dalë nga shtëpia. Vetëm në fushë, për të punuar tokën. Për çdo ditë sherr, për çdo punë që bëja. Unë e ndjej veten të huaj shumë në atë familje. Ma nxinë jetën”, – ka deklaruar Elda Tanushi. Nusja e re ka thënë se priste të gjente ngrohtësi te familja e burrit, por ata e kanë trajtuar shumë keq.
“E pranoj që në një çast shumë të rëndë, i hodha pak ilaç mizash vjehrrës në gotën e kosit. Kisha vendosur që të vdisja edhe vetë. Do të pija bar miu. Nuk kisha asnjë rrugëzgjidhje tjetër për të shpëtuar nga e gjitha kjo. Jeta ime nuk shtyhet më. Nuk e shtyj dot, sepse burri rri në Greqi, ndërsa unë me familjen e tij në fshat. Vjehrra më thoshte ‘ja, ne po të mbajmë, të ushqejmë dhe të veshim’. Në punë nuk bëhet fjalë të më çojnë. Më torturojnë sepse e dinë që familjen time e kam larg, në Dibër”, ka pohuar para inspektorëve të policisë së Shijakut, 19-vjeçarja.