As edhe një fjali e vetme nuk është përmendur në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme 2017 sa i përket transparencës me publikun. Krejt ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, partitë politike jo vetëm s’e kanë bërë pjesë të tyre informimin e publikut në programet zgjedhore dhe mitingjet
Nga Ben Andoni
Analiza leksikore e fjalimeve që bëri një artikullshkrues pak ditë më parë zbuloi vertetesinë e sa theksuam më sipër. Kryeministri i vendit Edi Rama në mitingun e fundit në Shkodër përdori 18 herë foljen ‘bëj’, 13 herë foljen “ngre” dhe 9 herë foljen “rrit”. Të gjitha në vetën e parë. Lideri i Opozitës Basha shtjelloi plot 13 herë foljen “ul” dhe 8 herë foljen “rrit” me një amplitudë kundërshtuese të çdo argumenti tjetër transparence. Kurse leksiku i presidentit të ri të vendit zotit Ilir Meta ishte i mbushur me fjalët shkatërroj, godas dhe luftoj!!! Sërish në vetën e parë kurse partia shtjellohej pas tij.
Kjo parantezë të ndih të kuptosh qasjen e vërtetë që kanë ndaj transparencës politikanët shqiptarë të kohës sonë. Nëse fjalia e artikuluar rëndom se qeverisja është për Ju-popullin, e prekën të tre në forma të ndryshme liderat e PS-së, PD-së dhe LSI-së, askush prej tyre, nga ana tjetër, as nuk e futi në diskursin e vet pse në administratat që janë të drejtuara ose ishin të organizuara prej tyre, Ligji 146/2014 “Përnjoftimin dhe konsultimin publik” nuk zbatohet dhe lë shumë për të dëshiruar.
Ligji 146/2014 nuk shërben vetëm për të kuptuar sesi realisht punon në ditët e sotme administrata shqiptare, porse nga fushata e ditëve të fundit mund të kuptosh sesa e respektojnë vetë njerëzit që e kanë për detyrim. Nëse do ktheheshim pas, interesi dhe zbatueshmëria e tij u pa kur EDEN (Qendra mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim) ka hulumtuar dhe monitoruar në muajt e fundit zbatueshmërinë e këtij ligji duke qenë prezent në institucione të ndryshme gjatë tri etapave, ku kalohet si njoftim informacioni nga qeveria shqiptare dhe ku publiku duhet të informohet, pastaj konsultohet dhe më në fund i kërkohet pjesëmarrja për përmirësimin e tij.
Pak histori
Në Tetorin e vitit 2014, asokohe Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Media dhe grupet e interesit e paraqitën si një ligj të rëndësishëm sepse për herë të parë rregullohej procesi i njoftimit dhe i konsultimit publik të projektligjeve, dokumenteve strategjikë kombëtar dhe vendor si dhe politikave më interes të lartë publik. U trumbetua si një stad i ri i komunikimit publik dhe transparencës.
Ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” erdhi si një propozim i ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, në përmbushje të angazhimeve që Shqipëria ndërmori në nismën globale “Partneritet për Qeverisje të Hapur”. Ai përfaqësonte një nismë ligjore e filluar prej vitit 2011 me mbështetjen e Fondacionit SOROS dhe miratuar në parlament në datën 30.10.2014.
Qendra EDEN hulumtoi falë informacionit që i është ofruar nga Ministria e Integrimit, Ministria e Mjedisit; Agjencia Kombëtare e Mjedisit; Drejtoria Rajonale e Mjedisit; Ministria e Energjisë dhe Industrisë; Transportit dhe Infrastrukturës; Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Zhvillimit Urban; Bashkisë së Tiranës. Të gjitha kanë qenë objekt i një shqyrtimi disa planësh për të parë sesa informacioni që paraqitej në faqet respektive zyrtare ishte i dobishëm kur i drejtohej kërkesa për informacion. Rezultatet e paraqitura nga EDEN në një konferencë kombëtare zhvilluar në Maj, linin pë të dëshiruar në lidhje me transparencën.
Duke u kthyer në ligjin tonë, edhe pse ai është i specifikuar për administratën, specialistët e votimeve janë kureshtuar sesi do ta justifikonin politikanët mosrespektimin e tij në këtë fushatë. Në fakt, politika jo vetëm nuk e ka pasqyruar në ligjërimin e vet, por as edhe nuk i është kërkuar ta shprehë qasjen e saj të ardhshme te Ligji “Për njoftimin dhe konsultimin Publik” në tezat publike.
Paradoksalisht, ligji është veçanërisht i rëndësishëm pasi nëpërmjet dispozitave përkatëse të këtij ligji organet publike janë të detyruar që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të krijuar të gjitha mundësitë për realizimin në praktikë të pjesëmarrjes së publikut dhe të gjithë palëve të interesuar në procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik.
Politikanët e tre partive kryesore megjithëse kanë referuar për një reformë të madhe në administratë, kurrë nuk e kanë prekur sesi do të sillen në të ardhmen me ligjin, që tregon transparencën publike. Sa do mundet publiku të informohet për ligjet dhe problematikat e tjera, kur ende sot e kësaj dite, shumë administrata nuk përgjigjen as për pyetjet më të thjeshta? Dhe, kjo formë, paraqitet si një lloj republike demokratike nga politikanët tanë.
“Që të kemi një republikë demokratike, duhet që në themel të saj të qëndrojë barazia e kushteve, jo barazia e individëve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shpalosen aftësitë e njerëzve që do të rekrutohen në çështjet publike. Që të kemi një republikë demokratike, duhet që në themel të saj të qëndrojë parimi kaq i thjeshtë për t’u thënë dhe kaq i vështirë për ta zbatuar; “të gjithë të barabartë para ligjit”. Kush e shikon të zbatuar këtë parim le ta quajë këtë republikë demokratike, kush nuk e shikon të realizuar këtë parim, le t’i verë kësaj republike emrin që të dëshirojë, por republikë demokratike nuk mund të quhet”, shprehet profesor Gjergj Sinani
Deri më tani
Shqipëria ka miratuar disa dokumente ndërkombëtare, të cilat i referohen transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (neni 19), Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (neni 10), Konventa e Aarhus-it e shumë të tjera. Qeveria shqiptare zbaton programin e transparencës për Këshillin e Ministrave dhe ka përafruar në masën më të madhe legjislacionin kombëtar me Direktivat Evropiane të njohura si “Legjislacioni Horizontal”.
Të përmbledhura shkurt, ligjet, vendimet, rregulloret kryesore, të cilat detyrojnë informimin dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore janë të shumta. Më qartë në relacionin shpjegues të projektligjit: “Për njoftimin dhe konsultimin publik” theksohet se: “Në kuadër të nismës për një qeverisje sa më transparente është parë si domosdoshmëri hartimi i një ligji të tillë për njoftimin dhe konsultimin më të gjerë me palët e interesuara, me qëllim pjesëmarrjen e tyre në hartimin dhe vendimmarrjen në akte zyrtare”. Më tej raporti pranon: “Konsultimi e bën dialogun efektiv dhe përmirëson politikat e përmbajtjen e akteve juridike…”.
Fatkeqësisht Ligji Për njoftimin dhe konsultimin publik nuk zbatohet në shumë dikastere në mënyrën e duhur. Ligji i miratuar në vitin 2014 është relativisht i ri dhe i paplotësuar tërësisht me mekanizmat e tij dhe si pasojë vetë institucionet nuk janë të qartë për koordinimin dhe zbatimin e tij. “EDEN” jo vetëm e shpalli në aktivitetin e saj, por përgjatë konkluzioneve të saj, provoi në mënyrë të detajuar problematikën e saj.
Paradoksalisht vetë personi i kontaktit, që ishte i caktuar nga ministritë e monitoruara për të mbështetur grupin e projektit, në shumicën e rasteve nuk kishte informacionin e nevojshëm për njoftimet dhe konsultimet publike të realizuara nga institucioni i tij, apo edhe për vetë ligjin! Pasojat e të gjithë dobësisë së procesit ishin se faqet zyrtare të institucioneve nuk e pasqyronin në nivelin e duhur procesin e zhvillimit të konsultimit publik dhe as nuk arrinin ta përditësonin realisht.
Problematike paraqitet situata megjithë artikulimet për përmirësimin e administratës në këto zgjedhje u pa se ka pak gjasa që Ligji 146/2014, “Për njoftimin dhe Konsultimin Publik” të ritet në nivele të larta zbatueshmërie. Nëse besohet se pjesëmarrja publike nxit qeverinë të rrisë transparencën, përgjegjshmërinë, informimin dhe ndjenjën e pronësisë qytetare përgjatë një procesi vendimmarrës. Për të gjitha këto arsye logjikisht dhe lehtësisht theksojmë fort se Ligji “Për njoftimin dhe Konsultimin Publik” duhet të përçohet dhe të përdoret nga publiku, për publikun!
Përderisa, në asnjë nga ligjërimet politike, Ligji 146/2014 nuk u mor si referencë, atëherë kuptohet se sërish publiku do të përballet me dyert e njëpasnjëshme të pamundësisë, që të jep ngurtësia e administratës shqiptare.
Dikur Tokëvili, një nga filozofët më të mëdhenj të demokracisë, u jepte këtë këshillë politikanëve europianë, në bazë të përvojës së Revolucionit Amerikan; mos premtoni gjëra të mëdha, më mirë do të ishte që të premtonin njerëz të mëdhenj, sepse këta njerëz do të dinë të nxjerrin frutet e lirisë, në qoftë se ata do ta gëzojnë realisht këtë liri. Një komb nuk mund të jetë i fortë në qoftë se përbëhet nga njerëz të flashkët nga mendja dhe nga shpirti, referonte profesor Sinani.
A po i thotë ndonjë parti këto gjëra, që lidhen me transparencën? Diskursi politik shqiptar synon të luajë më shumë me pasionet e militantëve dhe jo të prekë logjikën e njerëzve. Me timon, armatosje, kazan dhe tepsi, fjalët kyç të ligjërimeve politike, nuk ndërtohet shteti i të drejtës dhe demokracia dhe sa më tepër transparenca që po e lusin të gjithë dhe mund të na tregojë si një komb që po e duam sinqerisht ndryshimin. Por, nga ligjërimi politik dhe nga ajo që e pret administratën pas zgjedhjeve të reja, sërish nuk është se pritet ndonjë ndryshim i madh. Të paktën nga ajo që dëgjuam deri tani në fushatë, ku ligji për transparencën publike nuk u përmend asnjëherë, kuptuam edhe njëherë sesa rëndësi ka për politikën shqiptare, që publiku të futet në qeverisje.