Portali italian i Rait dedikuar artit dhe kulturës, “Rai Arte” i ka kushtuar një artikull kryeministrit shqiptar Edi Rama, por bëhet fjalë për një bisedë jashtë politikës, të fokusuar tek arti.
Rai Arte ka takuar kryeministrin shqiptar Edi Rama në hotel “Danieli” në Venezia më rastin e inaugurimit të Bienales së 57-të Artistike, ku merr pjesë si artist. Edi Rama është i njohur edhe për pasionin e tij estetik dhe talentin e tij artistik.
Bëhet pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas bën një qëndrim artistik në “Cité Internationale des Arts” në Paris, qytet ku do të mbetet në azil politik, për t’i shpëtuar gjendjes së vështirë të vendit.
Rikthehet në Shqipëri për të marrë pjesë në funeralin e të atit, dhe shumë shpejt e gjen veten të ngarkuar me detyrën e Ministrit të Kulturës, një impenjim që e mban nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Në vitin 2000 zgjidhet kryebashkiak i Tiranës dhe falë sërë iniciativash për të futur një ndjenjë të krenarisë qytetare dhe përkatësie civile, ai mban këtë pozicion për tre mandate të njëpasnjëshme deri në vitin 2011.
Projektet e tij të rikualifikimit urban dhe hapësirave publike ngushtuan hendekun mes qytetarëve dhe autoritetit shtetëror pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri.
Rama përfshin disa artistë – mes tyre Olafur Eliasson dhe Anri Sala – në transformimin e ndërtesave gri të epokës komuniste, duke e gjallëruar me ngjyra gjithë kryeqytetin dhe arkitekturën e tij, si për të treguar hapjen e qeverisë së re drejt horizonteve të reja.
Në luftën kundër ndërtimit të paligjshëm ai ka shtuar interesimin për mjedisin, me projektin e gjelbër, që çoi në krijimin e 96,700 metra katrorë terreni të gjelbër dhe mbjelljen e rreth 1,800 pemëve në Tiranë, duke marrë një çmim nga Kofi Annan në Kombet e Bashkuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e varfërisë në vitin 2002.
Për vite, sekretar i Partisë Socialiste, bëhet kryeministër në 2013-ën. Brenda pallatit të qeverisë ka hapur Qendrën për hapje e dialog (Center for Openness and Dialogue-COD), një qendër e vërtetë kulturore publike që manifeston edhe njëherë vizionin e tij demokratik të artit, si shprehje e lirë e mendimit.
Arti i kryeministrit shfaqet edhe gjatë aktivitetit të tij politik: tryza e tij e punës në kryeministri është e mbushur me stilolapsa dhe lapsa të të gjitha ngjyrave që ai përdor për të nxjerrë “shkarravinat” e tij, siç vetë i quan. Kështu ndërsa kryen detyrat e tij si politikan, axhenda e tij e ndonjëherë madje edhe ndonjë dokument zyrtar kthehen në telajo për pikturat e tij automatike dhe instiktive, si skriptet automatike të surrealistëve.
Aftësia e Ramës për t’i dhënë dritën e gjelbër krijimtarisë, ndizet në momentet e rralla ku kryeministri gjen kohë për të shkuar në studion e një miku për të krijuar skulptura qeramike, zhvendosje tre-dimensionale të vizatimeve, siç vetë artisti i quan ato.
Christine Macel, e prekur nga pasion i madh artistik i Kryeministrit, e ftoi atë për të marrë pjesë në “VIVA ARTE VIVA”, titulli që ajo ka zgjedhur për edicionin e saj të 2017 të Bienales së Artit në Venecia, ku Edi Rama prezanton në formën e një muri një përzgjedhje të krijimtarisë së tij, në dialog me punën artistike të Olafur Eliasson, për ngjashmëritë e dukshme mes dy artistëve në fushën e ekologjisë dhe uljen e varfërisë.
Filmimet e Edi Ramës në punë, në studion e tij vijnë nga videoja që Edi Rama ka realizuar për Bienalen e Artit të Venezia 2017 të Blerta Kambos. Videoja e plotë mund të shihet në faqen e internetit të Bienales.