Anëtari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se kjo parti ka dështuar si ekip në zgjedhjet e 11 qershorit dhe kjo për shkak të koalicionit të shkuar me PDK-në.
Sipas Abdixhikut, LDK është ndëshkuar nga qytetarët, megjithatë ai thotë se ka sinjale që ndryshimet që kanë nisur në LDK janë pranuar mirë nga elektorati.
“Jam i kënaqur për përkrahjen time, por jo për atë të ekipit. Me numrin e votave jemi njëjtë me herën e kaluar, por kjo nuk duhet të na kënaqë. Kemi nisur një proces të artikulimit të LDK-së të së ardhmes.
Ka qenë kohë e shkurtër dhe kemi përfunduar në përqindje dhe numër të njëjtë. LDK po ashtu është konsumuar nga koalicioni i fundit. Vota besoj se ishte më shumë votë kundër qeverisjes LDK-PDK. Ka qenë votë ndëshkuese”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Abdixhiku thotë se kandidimi i Avdullah Hotit për kryeministër si dhe pranimi i disa fytyrave të reja në LDK ka dhënë sinjal për ndryshime në LDK, dhe kjo, sipas tij është pritur mirë. Sipas Abdixhikut, kjo vërehet te numri i votave që kanë marrë kandidatët e rinj për deputet. (b.an)