Shefi i Stacionit Zjarrfikës të Vorës është arrestuar dje nga Policia e Tiranës, pasi duke kryer fushatë për Partinë Demokratike, është konfliktuar me një militant të LSI-së, të cilin e ka plagosur me thikë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, rreth orës 12:05, në një lokal në pronësi të shtetasit G.Gj., që ishte përshtatur si zyrë elektorale e PD-së, në fshatin Bërxullë të Tiranës.
Shefi i Zjarrfikëseve, Naim Picari, 42 vjeç, në bashkëpunim me një tjetër simpatizant të PD-së, 54-vjeçarin Xhaferr Sefa, janë arrestuar pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë plagosur 40-vjeçarin Ali Sula. Përveç akuzës për plagosje të lehtë, Picari është vënë në pranga edhe me akuzën “përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Nga ana tjetër, Policia ka arrestuar edhe të plagosurin Ali Sula, i cili akuzohet për “pengim të subjekteve zgjedhore”, “kanosje për shkak të detyrës” dhe “prishje të qetësisë publike”. Policia tha se në momentin kur ka ndodhur ngjarja, aty po zhvillohej një takim për të cilin nuk ishte bërë njoftim në Policinë e Tiranës.
INCIDENTI
Policia tha se, dje rreth orës 12:05, gjatë një takimi elektoral të Partisë Demokratike në Bërxullë, ka pasur një konflikt midis shtetasit Naim Picari dhe shtetasit Ali Sula. Konflikti ka degraduar në plagosjen me mjete prerëse të 40-vjeçarit Sula, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke shoqëruar dy të dyshuar për ngjarjen, Naim Picarin e Xhaferr Sefën, të cilët disa orë më vonë u arrestuan, bashkë me të plagosurin Ali Sula, të cilit iu komunikua arrestimi në spital.
Nga ana tjetër u morën në pyetje edhe disa dëshmitarë që ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes. Ata kanë deklaruar se Ali Sula, i cili njihej si “i forti” i Bërxullës dhe mbështet në fushatë LSI-në, është paraqitur për të provokuar në takimin ku ndodheshin simpatizantët e PD-së. Sipas dëshmitarëve, ai ka nisur të fyejë e të kërcënojë Naim Picarin, duke e nisur vetë konfliktin dhe në këtë mënyrë të pranishmit kanë tentuar ta largojnë.
Por gjatë konfrontimit fizik, ai ka mbetur i plagosur. Policia tha dje se materialet janë referuar në Prokurori për akuzat “pengim i subjekteve zgjedhore”, “përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “kanosje për shkak të detyrës”, “prishja e qetësisë publike” dhe “plagosja e lehtë me dashje”.
ma.me