Kryetari i PS, Edi Rama, nga Durrësi, gjate takimit elektoral, ka fshikulluar ashpër ish aleatin e tij Ilir Meta, për faktin se tani në fushatë po sulmon ashpër reformat shtetformuese të këtyre 4 viteve të fundit.
“Jam krenar për bilancin e koalicionit, por është tuprpi i tyre që i sulmojnë këto reforma. Aleatë dhe kundërshtarët i janë sulur reformave. Por ky është turpi i tyre”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë me këtë rast ka vënë në qendër të vëmendjes edhe situatën në Portin e Durrësit, sipas të cilit 3 familje bëjnë “edhe ditën edhe natën”, dhe në emër të punësimeve detyrojnë të punësuarit të paguajnë para nga rroga si taksë për partinë.
“Porti më i madh i Shqipërisë është sot foleja më domethënëse sesi një parti ka kapur gjithëshka që punëson me tesera partie. Kjo nuk është betejë mes një partie e një partie tjetër. Nuk kemi luftë e betejë politike personale. Në Portin e Durrësit janë 3 familje që bëjnë ditën e natën. Nga çdo rrogë duan përqindje për partinë. Në portin e Durrësit janë larguar specialistë me përvojë, për ta mbushur me njerëz që nuk kanë lidhje me portin, dhe që një pjesë e rrogës mbahet përqindje për partinë. Ata që paguajnë përqindje për partinë nga rroga e shtetit me 25 qershor nuk do të kenë më nevojë të paguajnë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, ka nga ata që kanë votuar PS në 2013 dhe kanë pikëpyetje. Rama ka nënvizuar se është e vërtetë se PS nuk ka mundur të bëjë në 44 muaj atë që nuk u bë në 25 vite.
“Rruga për të Rilindur Shqipërinë ka qenë një rrugë e vështirë. Por kemi bërë mjaftueshëm. Besoni tek ne. Bëmë gjithshka mundëm. Shqipëria nuk është ende ajo që duam, por nuk ka të krahasuar me atë që kishim. Nuk kemi ndërtuar ende shtëpinë e shtetit shqiptar por me reformat shtetbërëse deri dhe me dhimbje, kemi hedhur themelet. Shqiptarët duhet të ndajnë mëndjen të dielën: ose të ecim përpara ose të përjetojnë një kthim pas. Nuk duhet të ketë më natë për Shqipërinë”, ka nënvizuar Rama.
Kryeministri që lufton për një mandate të dytë qeverisës ka theksuar se ka ende pjesë me plagë në trupin e Shqipërisë, por ka filluar shërimi i kancerit 25 vjecar.
“Shikoni ndryshimet në Durrës, Krujë e Shijak. Ripërtëritja do të vazhdojë. Rilindja urbane do të shtrihet në çdo cep të Durrësit, Krujës dhe Shijakut. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë s’kemi parë. Nuk jemi të pagabueshëm dhe pa të meta, por në dallim nga të tjerët jemi forca që përfaqëson flamurin kuq e zi si askush më parë. Vetting-u ka filluar dhe pallati I drejtësisë do të çlirohet hap pas hapi nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Ata që do të dalin të pastër nga vetting-u nuk do t’ia dinë për nder asnjë politikani. Do hapin të gjitha zullumet e politikës. Të hapim portat e zyrave për qytetarët dhe të largojmë me soj e sorollop ata që i kanë zënë ata me tesër partie e që torturojnë shqiptarët”, deklaroi Rama.
ma.me/javanews.al