Afro 700 persona në Veriun e Shqipërisë, kryesisht në Shkodër nuk mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Këta qytetarë nuk mund të shkojnë tek kutia e votimit nga frika se hasmi mund t’i vrasë. Ata janë të privuar nga e drejta e tyre për shkak të fenomenit të gjakmarrjes që vijon të jetë prezent”. Kështu deklaroi për “Gazeta Shqiptare” kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve, Nikollë Shullani.
Sipas tij, personat që privohen nga e drejta e votës janë nga Tropoja, Puka, Lezha, Mirdita, Malësi e Madhe dhe më së shumti nga Shkodra. “Këta persona kanë frikë që të kalojnë pragun e derës nga frika se gjaksi mund t’i vrasë, ndaj në këtë mënyrë nuk mund të dalin për të ushtruar të drejtën e tyre. Normalisht që ata kanë dëshirë që të votojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të lirë të Shqipërisë, por nuk mund ta plotësojnë dëshirën e tyre, sepse rrezikojnë të vriten. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm dhe thuajse të përditshëm me këto familje”, tha kreu i Pajtimit të Gjaqeve. Ndërkohë, ai pohoi se më përpara të ngujuarit kanë mundur të votojnë, ndonëse me frikë, ndërsa kësaj here strukturat shtetërore nuk kanë ndërhyrë për të mundësuar që 700 personat në gjakmarrje të votojnë.
ma.me