Kryeministri Rama ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të zgjedhur, Ilir Meta për armatosje të popullsisë. Rama tha se kjo është fushata më e qetë që është zhvilluar ndonjëherë.
Tare: Incidentet me eksponentë të LSI, ndjeni përgjegjësi si Kryeministër i vendit? Meta ka bërë thirrje dhe për armatosje të popullatës.
Rama: Nuk dua të bëj komente për këto, i bie të hidhem me kokë në një batak ku nuk kam asnjë
arsye të hidhem. Kjo është fushata më e qetë që është zhvilluar ndonjëherë që kur marr pjesë në fushata. Është fushata më e pastër nga pikëpamja e raportit të politikës me hapësirën publike sepse kemi shpëtuar nga ajo barbaria e fotografive, e flamujve mbi shtylla, e lemerive, banderolave që kapeshin nëpër lagje. Njerëzit nuk e ndjejnë fushatën jashtë kanaleve normale të komunikimit kur hapin TV, ose kur shkojnë vetë në një takim, në radio apo gazeta. Kjo është një fushatë ku nga pikëpamja e tensioneve, nuk ka pasur kurrë një fushatë të tillë. Të gjithë palët, përfshirë opozita, kanë sytë dhe veshët brenda qeverisë dhe administratës dhe nuk ndjehen sikur janë në garë me shtetin, në luftë me administratën. Janë në garë partitë me njëra-tjetrën. Unë nuk kam asnjë lidhje dhe as detyrë të merrem me këtë pjesë, është detyrë e policisë së shtetit. Ka gjithë respektin dhe mbështetjen time. Pretendimet e cilitdo subjekt apo individ lidhur me çfarë ka ndodhur janë pretendime që trajtohen në rrugë ligjore dhe nuk janë pretendime që mund të kthehen në akuza apo armatime.Këtu pastaj nuk jemi më në kushtet e normalitetit të një komuniteti njerëzish që respektojnë disa piketa kur komunikojnë me njëri-tjetrin.
Tare: Disa kritikë tuaj mendojnë se kjo fushatë është një klimë e qetë por një fushatë jopërmbajtësore, nuk ka thelb. E qëllimshme?
Rama: Këta dashnorët e thelbit nuk i kam fare në llogari. Janë njerëz që kanë axhendat e tyre dhe bëjnë politikë më vete dhe për vete dhe kanë gjetur mënyrën më të shëmtuarën për ta bërë këtë gjë, duke i bërë të gjithë njësoj. Gjithë politikanët janë njësoj, janë kriminelë, banda, hajdutë. Në fakt fushata pavarësisht se një batutë, një frazë, simbolikë merr shumë më tepër vëmedje, në fakt në fushatë po përballen dy qasje të ndryshme. Qasja e partive të tjera nga PD, e këta të shansit për të gjithë, ata të fletores, kanë të njëjtën qasje nga ’92. Kush do ulë më shumë taksat dhe kush do rrisë shpenzimet për njerëzit por në bazë të një recete që nuk ka funksionuar asnjëherë. Dhe qasja jonë.Harrojeni që këto plagë mund të shërohen pa ju nënshtruar kurës që ne kemi filluar prej 44 muajsh, pa bërë shtet. Jo me receta si të Sudes. Jo me subvensione për fermerët, me ushqim falas për kalamajtë. Apo tjetri bëni bebe se do u japim lekë. Këto janë karagjozllëqe që nuk kanë lidhje fare me çfarë ka nevojë vendi. Vendit i duhet shtet.