Segmenti i parë i bulevardit të ri si dhe parkingu i dytë nëntokësor në kryeqytet me 328 vendparkime tani është i aksesueshëm për të gjithë. Bulevardi i ri ka një gjerësi prej 70 metrash, me korsi biçikletash, me dy korsi makinash në një kah, me trotuare për këmbësorë, shumë gjelbërim dhe i parashikuar në të ardhmen edhe për kalimin e një trami apo treni të lehtë që kalon në qytet.
Segmenti i dytë pritet të përfundojë në 6 mujorin e parë të vitit tjetër dhe në fund të viti të përfundojë i gjithë deri ku takohet me lumin dhe lidhet me unazën.
I gjithë bulevardi është parashikuar të ketë një gjatësi prej 1.9 km , me një kosto prej 27 milion euro. Ndërkohë që për 400 metrat e parë, përfshirë dhe parkingun, janë shpenzuar rreth 7 milionë euro.
Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë inauguruar mbrëmjen e sotme, Bulevardin e Ri të Tiranës. I sapokthyer nga mitingu përmbyllës i PS në Elbasan, Rama tha se meritat për këtë vepër i takojnë Veliajt.
“Besoj se ky është një tjetër shembull për të gjithë ata që mendojnë se vota nuk vlejnë. Të gjithë ata që mendojnë se nuk ia vlejnë të votosh sepse në fund fare janë të gjithë njësoj. Meritat për këtë vepër fantastike i takojnë lali Erit dhe ekipit të tij. Lali Erin si Erion e lindi nëna dhe si kryetar bashkie e polli vota“, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se për këtë shkak vota e qytetarëve në 25 qershor është mjaft e rëndësishme për të vijuar ndryshimin dhe të ardhmen.
“Të gjithë ata që thonë se nuk ia vlen të votosh, duhet të hapin sytë. Është bërë modë nga top-modelet e kazanit që politikanët janë të gjithë njëlloj. Politika nuk ka lindur për të bërë keq, ka lindur për t’u dhënë njerëzve mundësi që së bashku për të bërë të mundura gjëra që vetëm nuk i bëjnë dot”, tha Rama.
Bulevardi i Ri është vepra e dytë publike që inaugurohet brenda javës, pas rikonstruksionit të sheshit “Skënderbej”.
Një ditë para 2 vjetorit në krye të Bashksië të Tiranës, Erion Veliaj tha se, asgjë nuk është e pamundur kur punojmë të gjithë bashkë.
“Këto dy vjet kanë qenë një rrugëtim i mrekullueshëm. Bulevardi i ri dukej si një ëndërr e pamundur, ngjante me atë tramin imagjinar. Kur Edi Rama më tha që kryesia ka vendosur të të kandidojë ty për kryetar bashkie më la vetëm një porosi: do premtojmë gjërat që do bëjmë për Tiranën e do bëjmë gjërat që do premtojnë”, tha Veliaj.