Një gjykatë e apelit në Shtetet e Bashkuara mbajti në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët, i cili bllokon urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump për udhëtimin.
Ky urdhër u ndalon përkohësisht hyrjen në SHBA shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane.
Tre gjykatës të Gjykatës së Apelit të Qarkut 9 thanë se nuk do të shfuqizojnë vendimin që ka lëshuar një gjykatë në Havaje, në muajin mars, për pezullimin e urdhrit të presidentit, shkruan REL.
Gjykatësit thanë se urdhri i presidentit është motivuar nga “një paragjykim anti-mysliman”.
Administrata Trump thotë se ndalimi i përkohshëm i udhëtimit, që prek shtetasit e Iranit, Sirisë, Sudanit, Libisë, Somalisë dhe Jemenit, ka të bëjë me shqetësimet për sigurinë kombëtare.
“Konstatojmë se presidenti, me lëshimin e urdhrit ekzekutiv, ka tejkaluar autoritetin që i është dhënë nga Kongresi”, thanë gjyqtarë në vendimin e shkruar.
Urdhri i pezulluar, i nënshkruar më 6 mars, ka qenë rishikim i urdhrit fillestar të Trumpit, të nënshkruar më 27 janar, i cili u ka ndaluar hyrjen në SHBA shtetasve të shtatë vendeve me shumicë myslimane, përfshirë Irakun. (b.an)