Banorët e Borshit kanë protestuar ditën e sotme kundër asaj që ata e konsiderojnë si pushtim të Malit të Borshit nga Bashkia Delvinë. Në një protestë të mbajtur në hyrje të fshatit në rrugën nacionale Vlorë-Sarandë, ata kanë akuzuar për këtë Ministrinë e Mjedisit dhe Bashkinë e Delvinës.
Sipas banorëve, kullotat kanë qenë në pronësi të banorëve prej brezash, por së fundmi, me ndërhyrjen e Ministrisë së Mjedisit, i kanë kaluar Bashkisë Delvinë. Këtu kanë nisur edhe problemet e banorëve, të cilët thonë se janë dëbuar nga kullotat nga rreth 20 forca të Policisë Bashkiake Delvinë, duke u zëvendësuar me barinj nga fshati Kalasë. Sipas barinjve, ata janë dhunuar nga barinjtë e Kalasës në prani të policisë bashkiake dhe punonjësit të inspektoriatit të Mjedisit, të cilin e akuzojnë për fallsifikim të proces-verbalit.
Të gjendur në kushte të vështira banorët i bëjnë thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Delvinës, që të tërhiqen nga kjo vjedhje sepse po stimulojnë vetëgjyqësinë dhe vëllavrasjen.
Kujtojmë që bashkia Delvinë qeveriset nga kryebashkiaku Rigels Balili, propozim i LSI dhe ministri i Mjedisit poashtu është i kësaj force politike, pra Lefter Koka. A është ky një skenar?