Mbrëmë ish-deputeti socialist Ben Blushi, i cili pasi u mërzit pse nuk u bë ministër krijoi një parti të tijën, ka përdorur një gjuhë të rëndë nga “të Paekspozuarit” e Ylli Rakipit, ndaj një zonje, ish ministre.
Bëhet fjalë për zonjën Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Shëndetësisë dhe kandidate e PS në listat e Tiranës për zgjedhjet e 25 qershorit. Blushi, e etiketoi atë mbrëmë si “Ordinere”. Një gjuhë që nuk i shkon përshtat askujt ta përdorë ndaj një femre, por mesa duket ai ka mësuar shumë nga doktor Berisha.
Mbi këtë episod, ka reaguar sot edhe vetë Manastirliu, e cila shprehet se nuk ka asnjë njohje me Blushin. Ajo shton më pas se ato që Blushi thotë për shëndetësinë janë shumë qesharake dhe për një njeri pa shkollë, jo më për një deputet.
Ja reagimi i plotë i Manastirliut në Facebook:
“Dëgjova që z. Blushi më ka përgojuar dje në një ekran televiziv, duke përdorur fjalë rruge ndaj meje.
Jam e çuditur se nuk e njoh dhe nuk më njeh. Po me sa duket ata që e njohin dhe tregojnë çudira për këtë burrë gojëlëshuar, paskan shumë të drejtë.
Sidoqoftë i them z. Blushi se ajo që kam dëgjuar prej tij për shëndetësinë, është shumë qesharake dhe për një njeri pa shkollë, jo më për një deputet.
Do ta vendosin qytetarët e Tiranës nëse do ketë më vend në Parlament, për këtë zotëri që shan gratë si burrë i dehur!
Por nëse do ketë aq shumë njerëz që do gënjehen prej përrallave të tij, me shumë kënaqësi do t’ia tregoj nga foltorja e Parlamentit të ri se pse ai nuk ka asnjë bazë dijesh, për të folur për ato që merr përsipër të flasë.”, shkruan kandidatja e PS, Manastirliu./Lexo.al
a.ç