Një rrjet që trafikonte kanabis dhe kokainë në rajonin e Ilia-s, të Greqisë perëndimore është shkatërruar nga policia. Në pranga ranë 11 personave, dhjetë shtetasve shqiptarë dhe një grek. Koka e këtij grupi ishte një 32 vjeçar që ndodhet në Shqipëri. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Edhe pse sasia e drogës së sekuestruar me cilësinë e provës, është mjaft e vogël, sipas komunikatës së policisë, grupi ka përfituar nga trafikimi më shumë se 150 mijë euro. Policia ka zbardhur gjithë skemën e funksionimit të grupit.
Bosi 32 vjeçar e dërgonte kanabisin dhe kokainën nga Shqipëria në Greqi, saktësisht në Athinë, ku e merrte në dorëzim vëllai i tij, me moshë 24 vjeç. Ky ua shpërndante pjesëtarëve të grupit, që kishin për detyrë ta shisnin. I njëjti person, grumbullonte paratë e shitjes dhe pastaj ia çonte të vëllait në Shqipëri.
Grupi vepronte nën masa të rrepta sigurie, ndërsa komunikimet për caktimin e çmimit të shitjes dhe të mënyrës së trafikimit, bëheshin gjithmonë nëpërmjet rrjeteve sociale për të evituar një përgjim të mundshëm.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, në Amaliada dhe Athinë janë gjetur dhe sekuestruar sasi të vogla kanabisi dhe kokaine, peshore precizioni, një presë hidraulike që përdorej për ambalazhimin e kokainës, 2 automjete, 21 telefona celularë dhe një shumë parash prej 2.680 euro.
ma.me