Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj kryetarit të PD, Lulzim Basha, pas sulmeve të këtij të fundit në drejtim të LSI-së.
I ftuar në “Debati” në “Channel One”, Meta u shpreh se Basha është politikan pa shtyllë kurrizore, duke mos i qëndruar marrëveshjeve.
“Ai nuk ka shtyllë kurrizore. Nuk e mban fjalën. Për mua është politikani i vetëm i OSHEE-së. S’është garant i kauza të mëdha. Aq më tepër kur të kërcënon edhe zoti Basha, që trembet edhe nga hija e vetë. Ai bën si i forte se ka ndenjur 3 ore me Edin. Natyrisht se Edi ia hodhi atij. Ne vend te nderronte drejtorin e Policise, vajti mori drejtorin e OSHEE. Ky e mori se mendoi do marre vota me OSHEE”, tha Meta.
Ai shtoi se Rama u tall me të kur i dha disa drejtori si ajo e OSHEE e Hipoteka, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me organizimin e zgjedhjeve dhe nuk kërkoi shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ish-kreu i LSI iu përgjigj Bashës edhe për deklaratat e tij se LSI është sh.p.k e cila në 25 qershor do falimentojë. Meta tha se LSI nuk ka kandiduar njerëz me lekë, ndërsa ngriti dyshimet për listën e PD në Qarkun e Vlorës, ku sipas tij, Basha ka kandiduar figura që s’kanë lidhje me PD.
Kryetari i Kuvendit lëshon akuza të hapura dhe publike edhe në adresë të partnerit të maxhorancës, Edi Rama.
Meta ka komentuar shkarkimet e drejtoreve te LSI ditët e fundit, teksa tha se Rama e Basha “nuk janë politikanë vlerash, as politike, as njerëzore, por janë thjesht dy politikanë pushteti”.
Ai përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për dy rivalët e tij të shpallur tashmë, Lulzim Basha dhe Edi Rama, duke deklaruar se do të kenë fatin e Berishës në 25 qershor.
“Mos u habit aspak. Kemi të bëjmë me dy politikanë si Rama e Basha, të cilët nuk janë politikanë vlerash, as politike, as njerëzore, por janë thjesht dy politikanë pushteti dhe ata mendojnë se votat merren me pushtet, me klientelizëm dhe këtë kërkojnë ta faturojnë të tjerëve me presion përmes pushtetit, me frikësime, por kjo gjë nuk ka për të funksionuar.
Ata, që të dy do të kenë fatin që pati Doktori, pika ime e dobët, në vitin ‘94, me referendumin që u bë për Kushtetutën. Ky do të jetë fati i të dyve bashkë”, u shpreh Meta.
Meta ishte i drejtpërdrejtë kur e quajti Edi Ramën aventurier politik dhe një rrezik për vendin.
Meta: PS-PD, nuk i marrin dot 71 mandate
E ndërsa përflitet një koalicion u mundshëm post zgjedhor PS-PD, Ilir Meta deklaron se këto dy forca politike nuk kanë asnjë shans të marrin 71 mandate të dyja bashkë.
Në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Meta u shpreh i bindur se demokratë e socialistë do të ndëshkojnë me 25 qershor këtë imoralitet dhe bashkëpunim në krim për të cenuar standardin e zgjedhjeve në Shqipëri.
“Nuk ka asnjë shans që Basha dhe Rama të marrin bashkë 71 mandate. Reagimi i socialistëve dhe i demokratëve ka filluar prej kohësh. Jam i bindur që ata do ta ndëshkojnë këtë imoralitet dhe këtë bashkëpunim në krim për të cenuar standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, për të hequr dorë nga përgjegjësitë që kanë për të gjitha problemet që i kanë krijuar vendit dhe për t’ia kaluar, gjoja, përgjegjësitë LSI-së. Janë përgjegjësitë e tyre. Ata duhet t’i mbajnë deri në fund dhe ata do të ndëshkohen për këto përgjegjësi që kanë dhe që nuk i pranojnë”, deklaroi Meta.
Meta: Rama mosmirënjohës, do i çojmë një timon në Surrel
Meta reagoi edhe për deklaratat e Ramës për qeverisje me një timon. Ai deklaroi se kryeministri eshte mosmirenjohes.
“Mbasi u ktheu kurrizin socialistëve për katër vjet, tani po përpiqet t’i rikthejë te kutitë e votimit, duke i manipuluar sikur ua ka fajin LSI-ja atyre që kanë qenë të injoruar, kur në fakt të gjithë e dinë që ky e ka natyrën e vet që gjithmonë përbetohet e stërbetohet për dashuri ndaj popullit të tij për të arritur një interes të caktuar dhe përsëri ka të njëjtin problem, i cili ka të bëjë me mosmirënjohjen që ai e ka një sëmundje të pashërueshme. Kështu që socialistët nuk e besojnë dot më atë dhe natyrisht që më 25 qershor nuk do të votojnë për Rilindjen“, tha Meta. /a.ç