Deputetja demokrate Jorida Tabaku përmes një statusi në FB ka ironizuar replikat në distancë mes PS dhe LSI në ditën e provimit të parë të maturantëve. Pasi ka uruar të gjithë maturantët në këtë ditë të rëndësishme të edukimit të tyre, ku mbyllin një cikël të rëndëishëm e celin një tjetër, Jorida Tabaku i i fton të rinjtë që të mos pranojnë të gënjehën sërish nga ata që i gënjyen edhe një vit më parë. Tabaku u kujton se ata që një vit më parë heshtën për ligjin e arsimit të lartë sot janë në luftë të hapur mes tyre, duke iu referuar këtu PS e LSI.
Ja statusi i plotë në Facebook e deputetes demokrate Jorida Tabaku
Për maturantet në ditën e parë te provimeve!
Maturantë të dashur!
Suksese në provimin e sotëm të maturës me të cilin ju mbyllni një cikël për të hapur një të ri, në kërkim të dijes apo zhvillimit të mëtejshëm profesional. Gjatë këtyre viteve shumë u është premtuar dhe thuajse kurrgjë nuk është realizuar. Miqtë tuaj vitin e shkuar u torturuan nga paaftësia e një ministrie arsimi e angazhuar për të përmbushur dëshirat e disa oligarkëve në kurriz të së ardhmes.
Secili prej jush ka diçka për t’i ofruar këtij vendi. Prandaj mos rreshtni së zbuluari veten dhe të kërkuarit një mundësi për të shpalosur aftësitë tuaja. Madje edhe nëse sistemi sot nuk mundet t’ju ofrojë atë çfarë ju prisni dhe që kërkoni, nuk duhet të rreshtni.
Ju jeni e ardhmja e sigurt e vendit! Unë besoj se çelësi i të ardhmes është liria- ajo e të menduarit, e të informuarit, e të përzgjedhurit të shkollës që dëshiron dhe po ashtu e ekonomisë. Vetëm liria mundet të na hapë rrugën për të ndërtuar të ardhmen e sigurt.
Ndaj mos lini që gënjeshtrat e atyre që premtuan dhe pastaj u fshehën në ditët e nevojës t’ju gënjejnë sërish. Të gjithë ju e mbani mend se si një vit më parë ato që sot janë në një luftë të hapur mes tyre heshtën për Ligjin e Arsimit të Lartë.
Ne kemi nevojë për gjithsecilin prej jush jo vetëm që të ndërtojmë të ardhmen e sigurt por edhe për të rikthyer shpresën në këtë vend. Ne kemi nevojë për besimin tuaj që të mund të zbatojmë atë për të cilën jemi zotuar; Arsimim të Lartë për të gjithë, infrastrukturë më e mirë mësimore dhe zhvillim profesional.
Historia jonë na tregon se në ditë të vështira, njerëzit janë bashkuar për t’i zgjidhur ato, historia e atyre që u përpoqën për të mirën dhe luftuan për një të ardhme më të mirë se sa e djeshmja. Unë jam e bindur që ne e duam vendin tonë po njësoj sa paraardhësit tanë ndaj duhet të bashkohemi për të ndërtuar një vend më të mirë, një Shqipëri më të lirë dhe një të ardhme të sigurt!
Me ju është e sigurtë!
ma.me