Lëndimi i 140 mbështetësve të Partisë Demokratike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” javën e kaluar, nuk është shkaktuar nga elementë kimikë.
Ky është rezultati i analizave të laboratorit kimik pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Report Tv ka mësuar se kanë përfunduar analizat e mostrave të mbledhura në Bulevard një ditë pas mitingut, 27 maj, për të zbuluar shkakun e lëndimeve si skuqje, lotim, apo dhe marrje fryme te mbështetësit e PD.
Konkluzioni i analizave është se simptomat nuk kanë ardhur nga agjentët kimikë siç u pretendua nga opozita. Sipas analizave, Bulevardi përpara Kryeministrisë nuk ka pasur lëndë të kontaminuara.
Ndërkohë 37 monstra gjaku nga personat e lënduar janë dërguar në Gjermani, për të mësuar shkakun e vërtetë të problemeve shëndetësore.
Megjithatë, dyshohet se lëndimet e mbështetësve të PD të kenë ardhur nga prozhektorët ndriçues, një prej pistave kjo që po heton Prokuroria.
Rreth 140 persona u paraqitën në QSUT pas mitingut të PD për të marrë ndihmë mjekësore pasi kishin skuqje fyti, skuqje të syve dhe lotim si dhe marrje fryme. /a.m.