Nga Armando Meta/
Prej disa ditësh thuajse e gjithë administrata shtetërore është vënë nën një trysni të pazakontë politike e tipit “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Kjo situatë, deri në kufijtë e absurdit, ka sjellë si pasojë jo vetëm një cënim të rëndë të integritetit të tyre profesional dhe personal, por pothuajse ka paralizuar edhe punën në disa sektorë jetik siç është mjeksia, financat, madje deri dhe policia. Realiteti i zgjedhjeve në Shqipëri, në shumicën e rasteve, ka pasur jo pak ngarkesa, ku për shkak të dështimeve elektorale, shpesh herë forcat politike i janë përveshur administratës shtetërore, duke akuzuar atë për dështimet e tyre. Alibia për humbjet në zgjedhje për faj të administratës shtetërore vijon ende të ushqehet. Por këtë rradhë ka marrë përmasa deri dhe terrorizuese.
Është e vërtetë se jo pak punonjës të administratës përfshihen në zgjedhje. Por numri i tyre, në raport me trupën administrative, është thuajse i papërfillshëm. Ndërsa është ngritur një stuhi e tërë deri dhe persekutuese ndaj administratës shtetërore, askush nuk bën ‘gëk’ ndaj faktit se Presidenti i zgjedhur i këtij vendi është i përfshirë ‘këmbë e kokë’ në fushtën elektorale në favor të LSI-së, duke shkelur edhe parimet bazë të profilit të Presidentit të përcaktuara nga Kushtetuta. Sipas ligjit themeltar të shtetit, Presidentit i ndalohet të marrë pjesë në fushata elektorale në favor të një partie dhe se ai është përfaqësues i unitetit të popullit dhe jo i një partie politike. Kjo fushatë elektorale po na provon qartazi se z. Meta jo vetëm nuk është distancuar nga partia që ai ka themeluar, por përkundrazi, ka marrë në dorë të gjithë fushatën elerktorale të LSI-së, ndonse formalisht atë e drejton pasuesi i tij në postin e kryetartit të LSI-së, Petrit Vasili. I vetmi President që ka thyer në mënyrë flagrante ligjin kushtetues mbi rolin e Presidentit ka qenë Sali Berisha, i cili ka drejtuar fushatat elektorale të PD-së si në ’96 ashtu edhe në ’97, duke thyer edhe normat më elementare kushtetuese. Meta u përpoq ta fshihte turin e tij elektoral duke e shitur si takime ‘lamtumire’ me LSI. Në fakt askush nuk e besoi pasi të gjithë e kuptuan se ai po përfshihej në fushatën elektorale.
Pas marrëveshjes Rama- Basha, qartazi kryetari ‘de facto’ i LSI-së nuk u kujdes fare që t’ia ruante formën turit të tij të ‘lamtumirës’. Tashmë gjendet i përfshirë tërësisht në fushatë elektorale. Kur shikon këtë realitet, në të cilin Kushtetuta bëhet e paqenë ‘ditën për diell’, natyrshëm mëndja të shkon tek punonjësit e administratës, të cilët ndodhen pamëshirshëm nën kërcënimin e pezullimit nga puna apo futjes në burg qoftë dhe pse marrin pjesë në një aktivitet politik që zhvillohet tërësisht jashtë orarit zyrtar. Në bazë të ligjit për administratën publike, një punonjësi të kësaj administrate i ndalohet të marrë pjesë në aktivitete politike, apo të zhvillojë veprimtari politike brenda institucionit ku punon përgjatë orarit zyrtar. Pas këtij orari ai është i lirë të shkojë kudo sipas preferencave politike që ai ka. Ndaj është tërësisht e pakuptueshme kjo frymë frikësimi e denigrimi ndaj punonjësve të administratës, kur për hirë të së vërtetës kreu i shtetit i zgjedhur është nga të paktët në hirarkinë e lartë shtetërore që shkel ligjin me zë dhe me figurë.