Policia e SHkodrës ka dhënë detaje pas arrestimit të 27-vjeçarit nga Tropoja i cili shantazhonte një vajzë me fotot intime të saj. Ai u ndalua në Tiranë pas një ndjekjeje të gjatë nga poilicia. Ai aksidentoi me mjetin e tij luksoz tip “Touareg” edhe 3 automjete gjatë ndjekjes.
Operacioni:
Më datë 30.05.2017 shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë finalizuar me sukses Operacionin Policor të Koduar “Messenger”.
Operacioni është zhvilluar pas një hetimi për dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Tauland Neçaj 27 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Laprakë, Tiranë.
Për këtë rast Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, kishte regjistruar procedimin penal për shtetasin Tauland Neçaj, pasi:
Ky shtetas nëpërmjet komunikimit telefonik dhe aplikacioneve të rrjeteve sociale ka shtrënguar me anë të kanosjes shtetasin me iniciale P.S, për t’i paguar 10000 euro, shumë të cilën shtetasi P.S. do t’ia jepte më datën 30.05.2017 në Tiranë.
Ky shtetas më datë 30.05.2017, në Tiranë, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi në sens të kundërt me mjetin e tij tip “Touareg”, me targa AA 864 RH, duke dëmtuar tre automjete.
Me ndërhyrjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit pas disa minutash është bërë e mundur kapja e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Touareg”, 4 aparate telefoni celulare dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa.
Në ngarkim të shtetasit Tauland Neçaj janë referuan materialet procedurale Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Shkatërrimit të Pronës” si dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë̈ së rendit publik”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 109/b , 283, 150 e 236 të Kodit Penal./a.m.