Dy ditë më parë, policia dhe prokuroria kryhen hetime në bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë kryeministrisë, aty ku të shtunën gjatë mitingut të Partisë Demokratike për çeljen e fushatës zgjedhore, qindra simpatizantë dhe vetë kryetari Lulzim Basha përfunduan në spital me simptoma të njëjta, djegie dhe skuqje në trup dhe sy.
Për të zbuluar shkakun e kësaj situate, u sekuestruan edhe prozhektorët ndriçues të një kompanie private me dyshimet se mund të jenë përhapur rreze të dëmshme që kanë sjellë shqetësime tek të pranishmit.
Por në mbrëmje, teksa oficerët e Policisë së Shtetit dhe ata gjyqsorë kryenin procedurat, në vendngjarje ka shkuar në një konteroll bliz, ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj i cili ka shfaqur pakënaqësi për mënyrën e procedimit të këtij rasti. Ai i është drejtuar efektivëve duke i kërkuar që të mos sekuestrojnë të 12 prozhektorët por vetëm 1 prej tyre për ta analizuar e për të zbuluar më tej shkaqet.
Një video e publikuar nga Opinion.al, shfaq ministrin teksa i kërkon në mënyrë urgjentëve efektivëve që të zbresin nga makina e sekuestros prozhektorët dhe të marrin vetëm një prej tyre. I pranishëm në vendngjarje ka qenë edhe një përfaqësues i kompanisë së ndriçimit. Demiraj thotë se nuk mund t’i prishet punë firmës, pasi prozhektorët i duhen për të mbuluar aktivitetet e fushatës zgjedhore të partive të tjera.
“Merr vetëm një dhe vazhdo procedurën konform ligjit, jo të 12. Mesër kanë miting subjektet politike, do marrësh vetëm, bëj hetimin. Kush i ka ngarkuar ato, ktheji mbrapsht. Kjo s’ka sens, o çuna si merren 12 drita të firmës që ka aktivitet për subjektin politik, me çfarë do e bëj aktivitetin nesër? Hetimi bëhet vetëm më 1 dhe dilet në konkluzion, ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen 12 armë”, thotë Demiraj.
“O shef ne kështu na kanë thënë”, – përgjigjet njëri nga policët.
“Kthejini urgjent mbrapa, vetëm një do merrni”, thotë Demiraj.
Për hetimin e ngjarjes është kërkuar edhe ndihma e autoriteteve gjermane për analizat e gjakut për të zbuluar se çfarë i shkaktoi problemet shëndetësore tek personat që morën pjesë në miting.