Nga dita e sotme çelet muzeu më i ri në Shqipëri, në të ashtuquajturën “Shtëpia e e Gjetheve”, e njohur si bazë e përgjimeve gjatë komunizmit. Për inaugurimin e saj u organizuar një ceremoni e posaçme ku ishte i pranishëm edhe kryeminsitri Rama. Kryeministri tha se ajo shërben si një thesar i kujtesës.
“Brenda saj fshihet një thesar i kujtesës sonë kolektive, na jep mundësi të zbulojmë pjesëza të një mozaiku që mbetet ende për t’u zbuluar plotësisht me ngjarje, personazhe, lidhje mes shtetit, njerëzve, periudhave, që janë deri këtu sot të mbuluara nga pluhuri i harresës. Për shumëkënd për fat të keq këto hapësira janë si rikthim i errësirës, ndërsa për mua hedhja e dritës në këto errësira është ushqimi i shpresës që lidhet me plotësimin e vrimave të zeza të kujtesës sonë kolektive dhe të gjithsecilit”, tha Rama.
“Muzeu lindi si një klinikë për lindje, u shndërrua më pas në një ndërtesë që për ne që e kemi jetuar qytetin ne një periudhë më pak të rëndë se sa kur Dauti (Daut Gumeni, ish i burgosur politik, shkrimtar dhe diplomat,) filloi shkollën e partisë, ishte një prezencë shumë misterioze me një oborr të pakapërcyeshëm dhe e fshehur mes gjithë atyre perdeve me gjethe.
Ajo që unë mësova nga eksperienca e “bunkart 1 dhe “2 është raporti fizik me kujtesën si një mundësi për t’ju treguar më të rinjve apo vizitorëve të huaj që skanë qenë pjesë e kësaj historie një histori që sa më shumë vitet ikin, as më pak ne që e kemi jetuar e besojmë deri në fund.
Ndaj besoj që deformimi i madh i gjithë këtyre viteve, mungesa e vullnetit për ta parë këtë pjesë të historisë sonë me sytë e të vërtetës dhe për të kuptuar se shytë e të vërtetës janë shumë të rëndësishme për shtetin , s’mund të luftohen dot me kundër propagandë. Por me takime fizike mes njerëzve dhe kujtesës kolektive.
Është një pasuri e madhe që sot kthehet në funksion të këtij procesi duke dhënë mundësinë të gjithëve të kenë një takim fizik me të shkuarën dhe ta përballin pa ndërmjetës, pa përkthyes, të cilët bëjnë secili përkthimin e tyre në funksion të axhendave politike dhe pastaj personale”, tha Rama.
Daut Gumeni, duke i’u drejtuar Ramës, i tha të mos e zgjaste shumë fjalën se kishte një aktivitet tjetër më pas që e prisnin. Por ja si i’u përgjigj kryeministri.
“Kam akoma edhe 3 faqe të tjera, por ky është muzeu që pavarësisht statusit të kryeministrit, duhen dëgjuar ata për të cilët në fund të ditës është shumë e rëndësishme sot që hapen dyert e këtij muzeu dhe unë mund të bëj kryeministrin jashtë këtij oborri, ndërsa brenda këtij oborri është Dauti që vendos për axhendën dhe kohën e fjalës sime.
Ti hyre në burg dhe se di sa vite mbete brenda se u talle me foton e një sekretari partie por ja ku je gjallë ndërkohë që ai tjetri është në botën tjetër dhe ke mundësi ti thuash kryeministrit boll tani se shumë e zgjate”, ia ktheu Rama./a.m.