Listat e kandidatëve për deputetë të partive që janë regjistruar deri tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë kaluar në sitën e KQZ në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj ende nuk janë regjistruar në KQZ por në bazë të marrëveshjes së re politike kanë afat deri në datën 26 maj.
Report Tv u interesua pranë KQZ–së për kohën që i nevojitet këtij institucioni për të kryer verifikimet e duhura nëse kandidatët e djathtëa kanë probleme me ligjin.
Të njëjtat burime sqarojnë se verifikimi i kandidatëve nis që në momentin që ato regjistrohen në KQZ, proces ky që do të vijojë edhe gjatë ditëve të para të fushatës elektorale.
Në rast se nga verifikimi do të rezultojnë probleme në zbatim të ligjit të dekriminalizimit në këto lista të kandidatëve, KQZ i drejtohet institucioneve përkatëse për informacion, siç është Drejtoria e Burgjeve apo Prokuroria.
Më pas, nëse ka kandidatë që janë në kushtet e pamundësisë për të garuar, atëherë atyre u hiqet mandati.