Provojmë t’i marrim një për një:
1) Çfarë kompetencash do të kenë ministrat teknikë?
Edhe pse të destinuar të qendrojnë në detyrë (kështu duket) vetëm 37 ditë, të gjashtë ministrat teknikë që do të propozohen nga opozita duhet të kenë në teori pushtet të plotë, të barabartë me atë të çdo ministri tjetër. Pra, do të mund të shkarkojnë drejtues aktualë dhe të emërojnë staf ministror të besueshëm për ta? Do të mund të emërojnë dhe shkarkojnë drejtorët e agjencive në vartësi të tyre? Fjala vjen, tek ministria e Financave, do të mundë për shembull ministri i ri i Financave i propozuar nga PD të shkarkojë drejtoreshën e Tatimeve apo të Doganave? Dhe, në rast se e bën këtë, a do të kishte apo jo vlerë emërimi i ri? E njëjta pikëpyetje vlen për kompetencat e drejtorëve, për shembull: ai i burgjeve dhe i OSHEE mund të shkarkojnë drejtues në degë të ndryshme?
2) Çfarë fuqi zgjedhjeje do të ketë Partia Socialiste mbi ministrat teknikë të propozuar nga opozita?
Në propozimet e mëparshme të negociatave ministrat tekinikë duhej të merrnin pëlqimin, si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës. Ndërsa në marrëveshjen e re saktësohet se ministrat teknikë thjesht do të propozohen nga opozita: Partia Socialiste dhe kryeministri a do të kenë të drejtën të refuzojnë kandidaturat për postin e ministrit që do t’i gjykojnë si të papërshtatshme? Dhe, më tej, çfarë nënkuptohet saktësisht me termin “ministër teknik”: do të pranohen ministra të anëtarësuar në një parti apo jo?
3) Përse vetëm partitë e opozitës kanë të drejtën të regjistrohen brenda 25 majit?
Marrëveshja parashikon që partitë e opozitës të kenë të drejtën të regjistrohen në KQZ brenda 25 majit. Po pse e njejta e drejtë nuk u njihet edhe partive të vogla të mazhorances, të mbetura jashtë zgjedhjeve për faktin se nuk kanë hyrë në koalicion? Në rast se do të rihapen afatet e regjistrimit, pse nuk vlen kjo për të gjitha forcat politike, por vetëm për ato të opozitës? Dhe, më tej, çfarë kuptohet saktësisht me “parti opozitare”? Përcaktimi është tepër i përgjithshëm për të mos krijuar konfuzion.
4) Përse u kapërcye edhe paketa “McAllister plus”, që ishte pranuar më parë nga opozita?
Deri në çastin kur Rama dhe Basha u ndodhën ballë për ballë, forcat e opozitës kishin njoftuar se kishin pranuar tërësisht propozimet e paketës “McAllister plus” dhe se mosrënia dakord me mazhorancën kishte të bënte vetëm me datën e zgjedhjeve, pasi PD kishte deklaruar se pranonte edhe votën për vettingun. Po pse, pas tri orësh negociata, Rama bëri më shumë lëshime se sa ishte parashikuar në paketën “McAllister plus”, të mbështetur nga të gjithë ndërkombëtarët, duke fituar më shumë vetëm respektimin e kushtit të tij, dmth të votimit brenda 30 qershorit? Me të vërtetë, data e zgjedhjeve kishte më shumë vlera se gjithë pjesa tjetër, për të cilën ai bëri lëshim? Dhe çfarë fitoi në këmbim të kësaj?
5) Përse u përjashtua mundësia për të krijuar koalicione?
Duke qenë se u hapën përsëri afatet e regjistrimit të partive të opozitës, përse nuk u parashikua nga marrëveshja edhe mundësia për të krijuar koalicione? Ky opsion, që ka pasoja mbi të gjitha forcat politike në garë, përse u miratua vetëm nga dy partitë kryesore? Dhe pse i jepet vetëm Partisë Demokratike mundësia të kandidojë në listat e saj eksponentë të partive të vogla aleate në mënyrë që të rritë në maksimum rezultatet dhe nuk hapen përsëri listat shumëemërore edhe për forcat e tjera politike në garë, duke filluar nga ato të PS dhe LSI? Një zgjedhje kjo, që rrezikon të penalizojë shumë eksponentë historikë të PS, të cilët rrezikojnë të mos zgjidhen, pasi emrat e tyre janë shumë poshtë në lista, të hartuara kur mendohej se opozita nuk do të merrte pjesë në zgjedhje
6) A e ka marrë parasysh Rama hipotezën që të mos arrijë të fitojë mazhorancën?
Partia Socialiste do të garojë e vetme, ashtu si dhe forcat e tjera politike. Përpara krizës me opozitën, aleanca e saj në koalicion me LSI-në konsiderohej si strategjike për të siguruar fitoren matematike, ndërkohë që një pjesëmarrje eventuale pa koalicion nuk e jepte si të sigurtë fitoren. Por, në rast se vetë Rama ka hequr dorë nga koalicioni, çfarë do të ndodhë nëse nuk do të arrinte i vetëm 71 deputetët e nevojshëm për të formuar qeverinë e re? Me kë do ta formojë mazhorancën e ardhshme?
7) Është ende në fuqi koalicioni PS-LSI-PDIU?
Marrëveshja mes Ramës dhe Bashës duket se është nënshkruar pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të aleatëve qeveritarë LSI e PDIU, ashtu si dhe aleatëve të tjerë të vegjël të PD. Pas kësaj marrëveshjeje, a do të mbahet ende në këmbë koalicioni PS-LSI-PDIU?
8) Për cilën reformë të ardhshme kushtetuese bën fjalë marrëveshja?
Rama dhe Basha, në pikën “E” të marrëveshjes angazhohen që në fillim të legjislaturës së ardhshme të ndërmarrin sëbashku një reformë kushtetuese. Po kujt reforme i referohen, duke marrë parasysh se Kushtetuta sapo është reformuar me rastin e reformës së drejtësisë? Ndoshta parashikohet të diskutohet një sistem i ri elektoral?
9) A është e mjaftueshme një javë për të realizuar ndryshimet e shumta ligjore të parashikuara në marrëveshje?
Shumë nga pikat “C” të përfshira në marrëveshje kanë të bëjnë me modifikime të shumta të ligjeve, mjaft prej të cilave i referohen zhvillimit të fushatës zgjedhore. Por fushata zgjedhore fillon pas vetëm shtatë ditësh. A është e mjaftueshme një javë për të shkruar, miratuar dhe për të futur në fuqi të gjitha modifikimet e përfshira në marrëveshje, kur disa prej tyre kanë të bëjnë edhe me Kodin Penal? shqiptarja.com