Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, u takua të enjten në Gjenevë, me shefin e diplomacisë së Sudanit, Ibrahim Ahmed Ghandour, ku kërkoi njohjen e shtetit të Kosovës nga ky shtet afrikan.
Ajo tha se pavarësia e Kosovës dhe progresi që është bërë në zhvillimin e shtetit dhe integrimet euro-atlantike janë argumente të qëndrueshme dhe bindëse që Sudani ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Shteti i Kosovës është njëri nga shtatë shtetet e reja që janë krijuar pas procesit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë, ku secila prej tyre kanë njësi federale që më pas janë bërë shtete të pavarura dhe sovrane”, theksoi Tahiri.
Ajo gjithashtu theksoi se deri tani më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjithsej 114 vende dhe me këtë rast theksoi rëndësinë që ka edhe njohja e Kosovës nga ana e Sudanit, duke bërë me dije se më shumë se gjysma e vendeve të Afrikës kanë njohur Kosovën, ashtu sikurse edhe aleatët e Sudanit siç janë Egjipti dhe Turqia.
Nga ana e tij, ministri Ghandour tha se vendi i tij përcjell me vëmendje të veçantë përparimet dhe i vlerëson lart arritjet e Kosovës si dhe pjekurinë politike që po dëshmon Kosova si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.
Ai shtoi se Sudani është duke e shqyrtuar me seriozitet vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës dhe se në këtë drejtim mund t’ju jap sinjale pozitive. “Shteti i Sudanit në periudha të rëndësishme ka dhënë ndihmë të konsiderueshme humanitare për Kosovën. Sudani i mbështet proceset integruese të Kosovës dhe vendi i tij ka qenë një nga shtetet që ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, tha Ghandour, duke shtuar se kontaktet mes dy qeverive tona duhet të vazhdojnë dhe se siguroi që vendimi i duhur për Kosovën do të merret së shpejti./b.d