Avokati i Popullit Igli Totozani mori pjesë sot në Tryezën e diskutimit të nivelit të lartë “Sfidat e zbatimit të reformës në Drejtësi” organizuar nga Koalicioni “Drejtësi për të gjithë”.
Avokati i Popullit Igli Totozani në fjalën e tij mbi rolin e institucionit, në implementimin e ligjeve për Reformën në Drejtësi u shpreh:
“Një nga çështjet që shqetësojnë sot shqiptarët, është sistemi aktual i Drejtësisë në Shqipëri, i cili nuk garanton ruajtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ky fakt duket qartë edhe në ankesat e shumta që paraqiten në institucionin e Avokatit të Popullit, vit pas viti, dhe që kanë të bëjnë kryesisht me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë veprimtarisë që kryhet nga ana e organit të Prokurorisë dhe të Gjykatave në vend. Dhënia e drejtësisë është e lidhur ngushtë me respektimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si një tiparet kryesore dhe garancitë e pandashme të shtetit të së drejtës.
Vetëm gjatë 2 viteve të fundit, institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar mbi 400 ankesa të adresuara nga qytetarët, për veprime të padrejta, ose mosveprime të kryera nga organi i akuzës dhe gjykatës. Problematike mbeten pretendimet e ankuesve për zvarritje të pajustifikuara të hetimit, apo gjykimit të çështjeve civile dhe penale. Një sërë ankesash janë paraqitur edhe ndaj gjyqësorit, të cilat kanë qënë kryesisht ndaj Gjykatave të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, pasi në këtë të fundit janë bllokuar prej vitesh dosje gjyqësore pa iu nënshtruar një procesi gjykimi.
Në të gjitha rastet, ajo që kërkohet si një rezultante e të gjithë problematikave të evidentuara është një drejtësi e pavarur, eficente dhe e pakorruptuar.
Për të kuptuar këtë dhe për të arritur këtë qëllim padyshim që së pari, kanë qenë të nevojshme ndryshimet në nivelin kushtetues që, Kushtetuta të garantojë mirëfunksionimin e institucioneve të drejtësisë brenda sistemit, pa përjashtuar në këtë kontekst veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, sa i takon problematikave të hasura në ligjin organik që rregullon veprimtarinë e kësaj gjykate.
Sistemi gjyqësor shqiptar, ka të nevojshme të reformohet në elementët e organizimit, pavarësisë, paanshmërisë, përgjegjshmërisë, profesionalizmit, administrimit, efiçiencës, transparencës dhe ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, për realizimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Sot mund të themi se në praktikë janë konstatuar probleme serioze të ndikueshmërisë politike dhe financiare të gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Nga pikëpamja profesionale gjyqtarët kanë mangësi dhe janë larg standardeve dhe nivelit profesional që duhet të karakterizojë një gjyqtar të vendeve të BE-së, ndërkohë që në tre shkallët e gjykimit nuk garantohet pjesëmarrja e publikut në gjykimin e çështjeve të ndryshme.
Lufta kundër fenomenit të korrupsionit, duhet kuptuar si një nga çështjet më të rëndësishme të kësaj reforme që sistemi i drejtësisë e vlerëson si mjetin e vetëm në luftën penale kundër korrupsionit, ndërkohë që duhet të garantojë paprekshmërinë e këtij sistemi dhe moskthimin e tij në objekt të korrupsionit. Faktori kryesor që ndikon në suksesin e luftës ndaj korrupsionit është integriteti dhe ndershmëria e vetë zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, por dhe faktorë të tjerë që lidhen me cilësinë e parashikimeve të veprave penale të korrupsionit në Kodin Penal; cilësinë e procedurave të punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve në hetimin dhe gjykimin e korrupsionit; ndarjen e qartë të përgjegjësive midis aktorëve të ndryshëm në hetimin dhe gjykimin e korrupsionit; përshtatshmërinë e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore në dispozicion të prokurorisë dhe gjyqësorit.
Kjo reformë nuk mund të kuptohet pa rritur nivelin e njohurive të natyrës juridike dhe të ndërgjegjësimit në zbatimin e ligjit, duke filluar nga moshat e reja deri në sistemet shkollore parauniversitare, si dhe pa konsoliduar dhe ngritur cilësisht bazat e funksionimit dhe garantimit të cilësisë së sistemit të arsimit të lartë juridik, të arsimit profesional juridik, si dhe shkallën e përshtatjes së përgatitjes universitare e profesionale me kërkesat e tregut të punës.
Bazuar në ligjin nr.8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, një nga dispozitat e tij përcakton se veç detyrave që i ngarkohen nga ky ligj organik Avokatit të Popullit, ky i fundit kryen edhe detyra të përcaktuara në ligje të tjera në fuqi. Mbi këtë bazë angazhimi ynë institucional ka qënë konkret dhe i rëndësishëm jo vetëm për dhënie mendimesh dhe debat konstruktiv mbi reformen ne drejtësi por edhe për zbatimin e ligjeve pjesë përberëse të saj.
Në fakt, roli i institucionit që unë drejtoj ka përbërë edhe bazën e fillimit të punës për implementimin e disa ligjeve, pjesë vitale të reformës në drejtësi. Ky kontribut ka filluar njëherazi për ezaurimin e procedurave të përcaktuara në ligjin nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në ligjin nr.115/2016 “Për organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”.
· Ushtrimi i kompetencës ligjore në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, ka filluar në përputhje me nenet 5 dhe 6 të këtij ligji, në momentin kur, me shkresën nr. 3/2 prot, datë 20.01.2017, Avokati i Popullit është vënë në dijeni nga Institucioni i Presidentit të Republikës sa më poshtë:
“Në vijim të prononcimit publik të Presidentit të Republikës, komunikimit shkresor, si dhe të takimeve këshillimore me përfaqësues të dy institucioneve tona, lidhur me ushtrimin e kompetencave kushtetuese për fillimin e procedurave të aplikimit për pozicionet e anëtarëve të komisionit dhe kolegjit të apelimit, vlerësojmë se: me kalimin e afatit kushtetues për Presidentin e Republikës, të parashikuar në nenin C, pika 6 të aneksit të ligjit nr.76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417 datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar, kompetenca për fillimin e këtyre procedurave i kalon Avokatit të Popullit”.
Në zbatim të këtij detyrimi, në datë 26.01.2017, Avokati i Popullit ka publikuar thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, konkretisht për Anëtar i Komisionit dhe/ose Gjyqtar i Kolegjit të Apelimit, si dhe Komisionerit Publik, ku në përfundim të afatit të kësaj thirrje, janë bërë publike në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit listat me emrat e të gjithë qytetarëve që kanë shprehur interes për të qënë pjesë në këto institucione.
Në datë 10.02.2017, Avokati i Popullit nën monitorimin e pandërprerë të ekspertëve ndërkombëtar të ONM-së ka filluar procedurat për verifikimin e dokumentacionit për qytetarët që kanë shprehur interesin për pjesëmarrje në organet e Vetingut.
Pas, verifikimit të të gjithë aplikimeve për pozicionet e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve brenda një afati 7 ditor, Avokati i Popullit ka verifikuar në tërësi 193 aplikime, nga të cilat:
- 29 aplikime kanë përmbushur kriteret formale për secilin pozicion të parashikuar nga ligji;
- 164 aplikime nuk kanë përmbushur kriteret formale të përcaktuara nga ligji për secilin pozicion.
Në përfundim të këtij procesi, si dhe në zbatim të nenit 7 pika 6 të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Avokati i Popullit, në datë 17.02.2017, i ka dorëzuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat e kandidatëve, si dhe të gjitha dosjet individuale fizike të aplikimeve të shqyrtuara për këta kandidatë. Pas këtuij shqyrtimi dhe përpilimit të rekomandimeve përkatëse nga ana e ONM, i gjithë materiali i procesit i është përcjellë Kuvendit për vazhdimin e mëtejshëm të procesit.
Ndërkohë në zbatim të vendimit nr.18/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, “ Për kthimin e dosjeve të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të kandiduar për institucionet e Rivlerësimit tek Avokati i Popullit për riplotësim të dokumentacionit”, në konsulencë dhe monitorim të vazhdueshëm me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, kemi zhvilluar procesin e verifikimit të dokumentacionit të riplotësuar nga kandidatët, të cilët kanë aplikuar për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, për plotësimin e kritereve formale ligjore të parashikuara në ligj.
Në datë 28.03.2017, Avokati i Popullit ka filluar procedurat për verifikimin e dokumentacionit të riplotësuar nga kandidatët aplikantë që kanë shprehur interesin për pozicionet në institucionet e rilverësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Pas, verifikimit të të gjithë aplikimeve për riplotësim të dokumentacionit nga kandidatët aplikues për pozicionet e institucioneve të sipërcituara, brenda një afati 7 ditor, Avokati i Popullit ka verifikuar në tërësi 103 aplikime. Pas këtij verifikimi, duke marrë parasysh numri e përgjithshëm të aplikimeve të paraqitura në fazën e parë të procesit, në institucionin e Avokatit të Popullit ku janë paraqitur 193 kandidatë, na rezulton përfundimisht se:
– Plotësonin kriteret formale ligjore 84 kandidatë;
– Nuk plotësonin kriteret formale ligjore 109 kandidatë.
Sipas kërkesës së pikës 5, dhe pikës 6, të nenit 7 të ligjit të sipërcituar, pas verifikimit të kryer për secilin kandidat kemi përpiluar një listë me kandidatët, të cilët plotësojnë kriteret formale të parashikuara në ligj dhe një listë me kandidatët, të cilët nuk plotësojnë këto kritere.
Në përfundim të këtij procesi, Avokati i Popullit i ka dorëzuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat e sipërcituara të kandidatëve, si dhe të gjitha dosjet individuale fizike të aplikimeve të shqyrtuara për këta kandidatë.
Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të riplotësimit të dokumentave nga ana e kandidatëve, nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në përputhje me modalitetet e përcaktuara në ligj, lista me kandidatët që kanë përmbushur kriteret formale për secilin pozicion dhe lista me kandidatët që nuk kanë përmbushur kriteret formale për secilin pozicion, si dhe rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, në përputhje me pikën 7, të nenit 7, të ligjit 84/2016, i përcillen Kuvendit për verifikimin përfundimtar të kandidatëve dhe votimin e tyre. I gjithë ky dokumentacion sipas kërkesave ligjore i është përcjellë tashmë Kuvendit që do të vazhdojë me procedurat e përzgjedhjes dhe votimit të kandidatëve për anëtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar.
· Avokati i Popullit në përputhje me nenin 284 pika 6 të ligjit nr. 115/2016, “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, ka monitoruar gjithashtu edhe procesin e zgjedhjes së Anëtarëve të Përkohshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe ka hartuar një raport monitorimi mbi shortin e hedhur për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve duke ja përcjellë më tej Kuvendit të Shqipërisë.
Duke u ndalur veçanërisht tek procesi për verifikimin dhe listimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga radhët e avokatisë dhe të shoqërisë civile, theksojmë se sfidat kanë që të shumta.
I gjithë procesi është udhëhequr nga parimet bazë të aksesit në pjesëmarrje, të transparencës, të profesionalizmit dhe respektimit të konfidencialitetit në masën proporcionale ligjore.
Sa i takon procesit, synim ka qënë sigurimi i një pjesëmarrjeje sa më të gjerë në garë të kandidatëve nga radhët e avokatisë, apo edhe nga radhët e shoqërisë civile. Kanë qenë të shumta daljet dhe thirrjet publike që Avokati i Popullit ka drejtuar ndaj personave të interesuar për të marrë pjesë në garë.
Ky komponent është shoqëruar me një transparencë maksimale për të gjitha hapat procedurialë të ndjekur në faqen tone të internetit, si dhe në komunikimin e vazhdueshëm me masmedian.
Gjatë gjithë kohës së përcaktuar për aplikimin e kandidatëve të interesuar institucioni ka qënë në punë në orare të zgjatura, me një staf të dedikuar për këtë qëllim, si dhe duke punuar edhe në ditë festash zyrtare apo edhe fundjavash për të garantuar ecurinë sa më të mirë të procesit.
Sfidat kanë qenë jo të pakta. Këtu dua të theksoj se pjesëmarrjen e gjerë që patëm në procesin e vetting-ut nuk e gjetëm në këtë proces. Pjesëmarrja në garë nga radhët e avokatisë por, sidomos nga radhët e shoqërisë civile është e pakët.
Një sfidë për institucionin e Avokatit të Popullit ka qenë fakti se këto procese për nga vetë rëndësia dhe ngarkesa emocionale dhe institucionale që mbartin, kanë qenë eksperienca krejtësisht të reja dhe rrjedhimisht kanë kërkuar një angazhim të veçantë. Dhe kur flas për këtë, kam parasysh kontekstin ku punoi Avokati i Popullit dhe stafi i tij në këtë kohë. Kemi dëgjuar shpesh shprehjen qyteti i një mbi një dritareve dhe kemi qeshur gjatë këtyre muajve me kolegët duke e quajtur Shqipërinë, qytetin e një mbi një frëngjive, pasi nuk kanë munguar sulmet ndaj stafit që po punonte në mënyrë të shkëlqyer, nga njerëz nga të gjitha anët, të informuar dhe të painformuar, politik apo jo politik që i dhanë të drejtën vetes për të sulmuar institucionin. Por Avokati i Popullit me monitoruesit ndërkombëtarë kanë bërë një punë të shkëlqyer.
Afatet prekluzive të parashikuara nga ana e ligjit, kanë kërkuar jo vetëm angazhim dhe profesionalizëm, por edhe një respektim thjeshtësisht rigoroz të periudhave kohore që për hir të procesit, por edhe të të vërtetës në ndonjë rast kanë qenë shumë të shkurtra.
Kryerja e një procesi të rregullt dhe të ndershëm për të gjithë kandidatët si dhe performanca që do të jepte një shembull shumë të spikatur për një proces konkurrimi, ka qenë një nga pikësynimet tona si dhe sfidë njëkohësisht, duke patur parasysh se gjatë këtij procesi duhej gjetur një balance sa më porpocionale e shprehur në raportin mes të drejtës për informim dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Padyshim, nuk ka sesi në një proces të tillë profesionalizmi të mbetej një nga kërkesat kryesore për vetë faktin se edhe kuptimi dhe implementimi i kritereve të parashikuara ligjore linte një marzh vlerësimi të konsiderueshëm për mbarëvajtësit e procesit.
Bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe faktorin ndërkombëtar ka qenë edhe një nga elementët kyç për mbarëvajtjen e këtij procesi. Megjithatë, do të thosha se mungesa e pjesëmarrjes së kandidatëve në garë nga ana e përfaqësuesve të Shoqërisë Civile lë vend për një reflektim të thellë ndaj konsiderimit për procesin.
Veç këtyre, kemi patur edhe sfida të tjera. E tillë ishte edhe krijimi dhe konstituimi i Komisionit të pavarur “Ad Hoc”, në cilësinë e një organi kolegjial, që verifikon dhe vlerëson paraprakisht kandidatët nga radhët e avokatëve, për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Edhe pse ligji parashikon një anëtarësi prej 5 anëtarësh, vetëm 4 prej tyre kanë qënë prezentë dhe efektivë në mbledhjet e komisionit pasi, pavarësisht përpjekjeve maksimale të bëra për ecurinë normale të punës së këtij komisioni, nuk është bërë e mundur të sigurohet prezenca e anëtarit zëvendësues të Kryetares së dorëhequr të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Megjithëse sot, procesi ka ecur dhe ne me kënaqësi konstatojmë se kemi përfunduar pjesën tonë të procedurës që i takon procesit të Vetting-ut sikurse edhe pjesën e procedurës që i takon kandidimit për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga rradhët e Avokatisë, përsëri vlerësojmë se sfida më e madhe mbetet gara me kohën.
Ende, procesi që ka të bëjë me kandidimin për anëtarë të KLGJ dhe KLP nga rradhët e Shoqërisë Civile si dhe KLP nga rradhët e Avokatisë nuk ka përfunduar edhe pse në rastin e parë është ripërsëritur.
Gjej rastin që edhe nëpërmjet kësaj fjale dhe këtij aktiviteti të nxis dhe inkurajoj të gjithë aktorët dhe faktorët të ndërmarrin të gjitha përgjegjësitë që garantojnë ecurinë pozitive të këtij procesi, jo thjesht për hatër të një procedure administrative, por për një proces që lidhet me prosperitetin e shoqërisë tonë.
Shqiptarët kërkojnë një drejtësi të pavarur, eficente dhe të pakorruptuar. Avokati i Popullit mbështet Reformën në Drejtësi si një reformë jetike për të gjithë shqiptarët. Avokati i Popullit nxit dhe inkurajon forcat politike të shfaqin vullnet në përmbushjen dhe çuarjen deri në fund të kësaj reforme.
Pa një sistem drejtësie të pavarur, eficent dhe të drejtë, Shqipëria nuk do të ndërtojë dot, një ekonomi konkurrente, një politikë të pastër, një jetë të sigurtë për qytetarët e saj, për investimet e brendshme dhe të huaja, në fund të fundit një Shtet të së Drejtës.
Sistemi i drejtësisë është në themel të një shteti demokratik dhe modern ndaj edhe ky sistem duhet reformuar rrënjësisht.
Dëshiroj tani të bëj disa falënderime meqë më jepet rasti. Dëshiroj në radhë të parë të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Bashkimin Europian për punën dhe këmbënguljen e jashtëzakonshme, për nisjen, konceptimin, si dhe ndihmën gjatë zbatimit të kësaj reforme në drejtësi, nga Ambasadori Donald Lu dhe ambasadorja Vlahutin, por edhe kolegë të tjerë të Euralius, Departamentit të Drejtësisë, Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit etj. Ata kanë qenë përfaqësues dhe zë i qytetarëve që nuk kanë zë. U kanë dhënë zë atyre njerëzve të heshtur, që nuk gjejnë vend në tavolina konferencash, që nuk gjejnë ekrane TV për të shprehur dëshirën e tyre të madhe për të pasur një Shqipëri të drejtë, transparente me një sistem drejtësie, që do ta garantoj këtë gjë.
Është rasti të falënderoj, gjithashtu, Parlamentin shqiptar për punën e bërë, forcat politike, shoqërinë civile për rolin e saj monitories, por edhe aktivizues në rastin e organeve të caktuara.
Do të doja të falënderoja edhe disa njerëz, të cilët nuk ulen dot, për shkak të pozicionit të tyre, në tryeza të tilla. Janë njerëz të thjeshtë, punonjës të Avokatit të Popullit: Julin, Bardhin, Alketin, Invën, Borën, njerëz që ju nuk i njihni, por që kanë shkrirë brenda dy-tre muajve jetën e tyre personale, për të punuar me ndershmëri, e profesionalizëm, në një kontekst shumë të vështirë në Shqipëri, sikundër e thash të një Shqipërie të një mbi një frëngjive, ku çdo njeri i dha të drejtën vetes për të sulmuar dhe për të goditur. Kam kënaqësinë të them se kjo punë e bërë, po jep frytet e veta. Tashmë rolin e kanë politikanët shqiptarë, që të ndërgjegjësojnë vetveten, për të kuptuar që Reforma në Drejtësi nuk është një reformë e politikës, por është një reformë e qytetarëve.