Nga Ardit Rada
Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit nuk ka sjellë asgjë të re nga “fronti i perëndimit”, përveçse ka përsëritur se mbështet paketën e refuzuar nga Basha, atë të David McAllister. Në fakt, Hoyt Brian Yee para mbërritjes në Tiranë në asnjë moment nuk ka paralajmëruar negociata të reja, apo rolin e tij si ndërmjetës. Duket se pas ardhjes së amerikanit, nuk ka më asnjë kuptim që në Tiranë të priten ‘shpëtimtarë’ të tjerë pasi fjala e fundit është thënë me kohë.
Zgjedhjet e 18 Qershorit tashmë janë në dorën e vendimit, që trupa e Kolegjit Zgjedhor e kryesuar nga Gjin Gjoni pritet të marrë. Caktimi me short i emrit të tij për hir të së vërtetës e ka frikësuar mazhorancën, duke iu trembur marifeteve që sistemi i Drejtësisë ka bërë kryesisht nën dirigjimin e PD-së në kurriz të zgjedhjeve.
Pezullimi i 18 Qershorit nga Kolegji Zgjedhor është mëse i mundshëm dhe tashmë në opinionin publik janë hedhur dy teza; Së pari, Edi Rama e ka shkelur qëllimisht afatin e debatuar 28-29 Prill për t’i dhënë një tjetër mundësi opozitës, por pa u tërhequr me vullnetin e tij nga data 18 Qershor. Së dyti, Gjin Gjoni ka në dorë fatin e zgjedhjeve dhe do t’i shtyjë ato për t’i bërë kështu shërbimin e fundit partisë së zhvendosur në bulevard.
Në një betejë 3-mujore, Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë kërkuar në vijim një kryeministër teknik. Pavarësisht këshillave për t’i zgjidhur kundërshtitë në rrugë institucionale, Lulzim Basha ka preferuar qëndrimin në çadër. Ai në asnjë moment nuk e ka pritur zgjidhjen nga Perëndimi. Sepse një precedent të tillë nuk do ta pranonte sëpaku asnjë vend si SHBA-të apo Bashkimi Evropian. Dhe mbi të gjitha, aleatët euro-atlantikë e kanë bërë të ditur qysh në fillim të herës qëndrimin e tyre mbi bojkotet, pavarësisht sa serioz mund të jetë kushti i vendosur.
Megjithatë, e vetmja betejë ligjore që opozita ka nisur është ajo e ankimimit të listave të regjistruara në zgjedhje. Duke shfrytëzuar regjistrimin e diskutueshëm të Partisë Agrare Ambientaliste, ekspertët e Bashës kanë ankimuar vendimin e KQZ. Në thelb, opozita kërkon nga Kolegji rrëzimin e 18 Qershorit që do të pasojë me një dekret të dytë të Presidentit për një datë tjetër të zgjedhjeve.
Por përse ky merak i Bashës për zgjedhjet ku vetë opozita nuk ka dëshirë të marrë pjesë? Çfarë do t’i shërbente Lulzim Bashës pezullimi i 18 Qershorit përveçse ta numëronte si një ‘fitore’ të radhës pas anulimit të zgjedhjeve në Kavajë?
Të gjitha vijat logjike të çojnë në një përfundim të vetëm: Lulzim Basha e ka mbajtur me sforco të mëdha çadrën këto 3 muaj vetëm për të shtyrë zgjedhjet. Ai nuk mund të shkojë në garën e korrikut për kryetar të PD-së si një humbës edhe i zgjedhjeve të përgjithshme 2017, edhe i zgjedhjeve lokale 2015 apo edhe i votimeve të pjesëshme të Korçës, Dibrës, Kolonjës dhe Kavajës që nuk u zhvilluan.
Ai nuk mund të rizgjidhet kryetar i PD-së me premtimet për shkolla me drekë apo duke iu drejtuar bazës së sflitur në çadër për më tepër besim te Zoti, që i ndjek me vëmendje veprimet e opozitës. Pesë apo gjashtë humbje zgjedhjesh në 4 vite janë një peshë e rëndë. /JavaNews