Nga Lorenc Vangjeli
Në Shqipëri e kujtojnë shumë mirë ish-kancelarin austriak Franz Vranitzky. Edhe pse është fakt e jo opinion se shqiptarët kujtohen për Perëndinë dhe mjekun vetëm kur kanë hall, halli i madh i vitit 1997, e bëri politikanin evropian të shihej si perëndi njerëzore në Tiranë dhe si mjeku i vetëm që do të kuronte marrëzinë kolektive të shpikur nga virusi për pushtet i Doktor Berishës. Atëherë Vranitzky ja doli. Kronikat e dikurshme televizive tregojnë sesi politikanët e ashpër dhe ende shumë pak të sofistikuar shqiptarë të kohës i rrinin rrotull si kotele, shtriqeshin kur ju hidhte vështrimin, koteshin me sy gjysmëmbyllur kur ju fliste dhe mikloheshin me pushin shtruar kur negocionin me të; domethënë, i thoshin “si urdhëron” me tonin autoritar që një specialist i administratës së sotme, i thotë “mirëdita” ministrit të tij kur e ndesh në korridor.
Nga viti 1997 ka rrjedhur shumë ujë. Edhe në Lanën që ndan në dy pjesë Tiranën në aksin Lindje-Perëndim, me ura të reja të ndërtuara nga bashkia Veliaj, në erën postBasha dhe postpostRama, ka shkuar shumë ujë drejt detit.
Nga viti 1997 kanë fluturuar shumë vjet. Kush është konceptuar në vitin e begatë nga ekstaza e parave më të pastra në botë të 96-ës dhe lindi në motin e trazuar 97’, sot është fiks 20 vjeç. Pa ditur sesi ka qenë Shqipëria e dikurshme, 20 vjeçari i sotëm e ka të vështirë të kuptojë çfarë ka ndryshuar në Shqipëri. Shumë-shumë mund të bëjë habi për tonet euroatlantike që prej javësh i drejtohen opozitës shqiptare me ftesën për të hyrë në zgjedhje. Dhe madje edhe mund të ketë një ndjesi krenarie sepse në dukje Tirana i ngjan si qendër e botës meqë duket se gjithë bota e ka mendjen se çfarë ndodh në Tiranë. Në fakt është më e vështirë të kuptosh një 20 vjeçar/e të djeshëm e të sotëm, sesa të marrësh me mend se çfarë mendonte 20 vjet më parë Vranitzky kur negocionte për paqen në kushtet e një pothuaj lufte aburde në Shqipëri. Si i shikonte kravatat që mbanin politikanët shqiptarë të kohës në diskutime, etiketat turke të kostumeve me shkëlqim, pirunin që përdornin në drekat e punës dhe mbi të gjitha, si priste me durim të mbaronin fjalën që shqiptonin me bukë në gojë. Sepse atëherë, natërisht jo si tani, konsumonin edhe shumë bukë.
Sot, diku tek të 80-at, Vranitzky do të ishte një personazh ekzotik në Tiranën që ka ndryshuar tërësisht, siç kanë ndryshuar po tërësisht edhe personazhet që ndërtojnë humoret njerëzore apo drithërojnë parandjenjat e gjithë qytetarëve në Tiranë. Në vend të etiketave Made in Turkey, kostumet janë me emra të personalizuar, kravatat vihen vetëm njëherë dhe kushdo ka fituar një modesti Hollyëood-i në qëndrime dhe një vetëbesim Anjshtajni në veprime. Në këto kohë të ndryshuara, pavarësisht moshës, Vranitzky do të dukej si një kotele koketë. Dikush do ta pyeste për mirësjellje. “Sa e ke rrogën?” Dhe ai do të përgjigjej se pensionin nuk e kishte të madh, por dikur kishte arritur të marrte edhe 150 mijë euro.
“Kaq merrje në javë?”, do ta pyesnin, për shembull, tek Çadra. Dhe kur ai të thoshte se kjo ishte paga vjetore, askush nuk do ta merrte më seriozisht. Askush nuk do ta shihte negociatën e ish-kancelarit dhe gjithkujt tjetër në detyrë në Evropë a gjetkë, si një mundësi për të shkuar drejt Republikës së Re me rrugën e gjatë, të vështirë, plot sakrifica dhe mundime të votës. Madje as Doktori që marrëdhënien me paratë si letër e jo si koncept, ka kohë që i ka zëvendësuar me dashurinë për idetë si koncept dhe jo si ligje të pashkuara në letër, nuk do ta merrte seriozisht. E vetmja gjë serioze në këtë histori që po prodhon absurd është se në Bruksel, Uashington, por dhe në Tiranë, togfjalëshi “bojkot dhe dhunë”, është një teh gijotine që ndan Shqipërinë në dy pjesë, njëlloj siç ndan Lana Tiranën. Të shtunën, në 13 maj 2017, sërish Shqipëria duhet të bëjë zgjidhjen e saj, këtej apo andej Lanës, Lindje apo Perëndim. Pavarësisht se në Lindje qeverisja si rregull duket se është më e “thjeshtë” dhe në Perëndim rrogat janë më “të ulta”. Pavarësisht se negociatorët perëndimorë janë të përkohshëm dhe jo të përhershëm si shkaqet për sherr, dhunë e bojkot që prodhohen rëndom në Tiranë, të shtunën zgjedhja Perëndim a Lindje, është zgjidhje që do të vijë nga Çadra.