Në fokus të takimit ishte koordimi për misionin e fluturimeve që do të monitorojnë territorin shqiptar, në kuadër të zbatimit të protokollit për identifikimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.
Çako falenderoi Qeverinë dhe Policinë Italiane, misionin e UCI Albania të Interforzës dhe të Guardia di Finanza-s si edhe Universitetin e Dytë të Napolit, Qendra BENECON për kontributin dhe ndihmën në punën e Policisë Shqiptare.
“Jemi përsëri në zbatim dhe në vazhdim të protokolleve dhe të akt-marrëveshjeve për mbështetjen dhe ndihmesën ndaj Policisë shqiptare, në monitorimin e kultivimit të kanabisit. Një mision i cili ka vlera të jashtëzakonshme në luftën që kemi bërë në vazhdimësi.
Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është caktuar si një nga strategjitë kombëtare nga shteti shqiptar. Dhe e veçanta e kësaj strategjie është përfshirja e të gjithë institucioneve të shtetit shqiptar në luftë kundër kultivimit.
Përfshirja në një sërë objektivash, konsiston në identifikimin e faktorëve dhe identifikimin e zonave të luftës kundër kultivimit, por edhe të goditjes kombëtare të grupeve kriminale të organizatave që merren me trafikimin.
Tashmë puna e Policisë ka filluar në fillim të vitit me kontrollin e shumë zonave të cilat kanë qenë në risk për mbajtje, përpunim dhe kultivim”, u shpreh Drejtori Çako.
Zv/drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane Kolonel Sandro De Angelis, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe nënvizoi vullnetin e Policisë shqiptare për të bashkërenduar veprimtarinë kundër kultivimit të kanabisit.
“Është një moment themelor për Shqipërinë përsa i përket luftës kundër kultivimit të kanabisit. Nga fjalët tuaja unë perceptova dëshirën dhe vullnetin për të koordinuar sa më mirë të gjithë veprimtarinë përsa i përket luftës kundër kultivimit të kanabisit.
Ne jemi shumë të kënaqur dhe krenarë që bashkëpunojmë. E dimë shumë mirë që përsa i përket luftës së kultivimit të kanabisit, ky aksion nga ana e Policisë Shqiptare ka filluar më herët.
Ne jemi shumë të lumtur që të japim ndihmën tonë, mbështetjen dhe gjithçka ndjejmë të nevojshme në këtë nismë.
Një përgëzim më tepër për Policinë e Shtetit, të cilën e shohim që është e angazhuar dhe është në bashkëpunim me Prokurorinë”, tha De Angelis.
Komandanti i Repartit të 3 të Guardia di Finanza-s në Komandën e Përgjithshme të Guardia di Finanza-s, Kolonel Joselito Minuto bëri një përshkrim të detajuar të punës së bërë dhe të ndryshimeve në rritje për këtë vit të orëve të fluturimit, përpunimit dhe dërgimit të të dhënave.
“Duke u bazuar në përvojën, ne jemi gati menjëherë të jemi operativë.
Kemi llogaritur që këtë vit të kryhen 30% më shumë fluturime se vitin e kaluar.
Falë teknologjisë së avancuar kemi reduktuar kohën në maksimum përsa i përket përpunimit të të dhënave”, nënvizoi Minuto.
Palët dakordësuan hartimin e një plan veprimi të përbashkët. Kryefjala mbetet transparenca në çdo veprim që do të kryhet.
Të gjitha institucionet do të kenë mundësinë e konsultimit të të dhënave në lidhje me ndërhyrjet policore.
Në takim ishte prezent edhe drejtuesi i misionit PAMECA V zoti Carlo D’Achille dhe Prokurori ndërlidhës i Prokurorisë Italiane Francesco Ciardi në Shqipëri, të cilët shprehën mbështetjen e plotë. ma.me