Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori disa zyrtarë dhe ish- punonjës të Agjencisë së Legalizimit të Lezhës.
“Dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën 18,664 mijë lekë në regjistrimin e pallateve me shmangie pagesa detyrimesh financiare, janë regjistruar prona në zonën e Ishull Lezhë, të cilat kane qënë këneta, kanale, ranishte me sipërfaqe 537926 m2(53.79 ha), duke i tjetërsuar në kundërshtim me ligjin tek persona privatë nga forma “shtet”. Jane regjistruar vendime gjykate në Malin e Renxit, duke rregjistruar rrugë, shkëmb dhe rezervuar me sipërfaqe 295 ha, si dhe në 74 raste mbivendosje, nuk janë zbatuar rregullat e caktuara, por janë lejuar të kryejnë transaksione e krijuar konflike sociale; janë regjistruar objekte të legalizuara pa u kryer pagesat sipas ligjit, etj. Nuk është administruar dokumentacioni dhe në arkivin e institucionit nuk gjenden 1045 praktika (referenca pronash), si dhe nuk është nxjerrë përgjegjësia ndaj personave përgjegjës,apo ndjekur ky problem në organet kompetente”, thuhet në njoftimin e KLSH-së.
KLSH, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, konkretisht, E. K, me detyrë ish-arkivist, E. L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E. J detyrë jurist, E.Z me detyrё hartograf, K.M ish juriste, B.RR ish juriste dhe N.N me detyrё hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga Kodi Penal. /b.d