Ekipi i Flamurtarit është shpallur kampion i Shqipërisë në basketboll për femra, pas fitores 60-52 arritur ndaj Tiranës në finalen e katërt të play off-it luajtur sot pasdite në Vlorë (fitoi 3-1 serinë e finaleve), duke mbrojtur titullin kampion fituar një vit më parë. Një triumf i merituar i skuadrës vlonjate, që luajti më mirë në këtë fazë të play off-it, duke eliminuar fillimisht Goga Basket në gjysmëfinale dhe më pas mposhti bardheblutë në fazën finale.
Flamurtari edhe pse e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë, arriti që falë përvojës së lojtareve të tij të përmbysë këtë klasifikim në play off, duke treguar se faktori fushë nuk vlen shumë. Një ekip solid dhe që arriti të përballojë me sukses këtë fazë delikate, duke e rritur lojën nga ndeshja në ndeshje. Ndeshja e sotme luajtur në Vlorë u dominua nga skuadra vlonjate, që pati vazhdimisht epërsi, ndërsa Tirana ishte shpesh apatike në fushë, nervoze dhe pa forcën e duhur, pa grintë dhe gaboi shumë në gjuajtje. Që në periodën e parë Flamurtari merr komandën e lojës, luan shpejt dhe dikton në fushë, por edhe Tirana hera-herës reagon mirë. Por në 10-minutëshin e dytë vjen shkëputja e skuadrës vlonjate, që merr komandën, duke udhëhequr 37-29. Tirana tenton të reagojë me fillimin e periodës së tretë dhe për një moment ngushton shifrat, por vetëm kaq.
Flamurtari rimerr frenat dhe udhëheq me 10 pikë, 50-40 në përfundim të kësaj periode. Edhe në 10-minutëshin e fundit muzika nuk ndryshon, Tirana përpiqet të rikuperojë por pa sukses, ndërsa Flamurtari mbron mirë dhe administron avantazhin, duke fituar krejt takimin me shifrat 60-52, titulli i 20-të në histori. Nis festa për basketbollistet e Flamurtarit, që edhe pse lëshuan disi në sezonin e rregullt, në momentet me vendimtare të sezonit treguan se dinë të jenë kampione, duke fituar trofetë. Tiranës i mungoi saktësia atëherë kur duhej dhe nuk e shfrytëzoi si duhet faktorin fushë. Pas ndeshjes FSHB dorëzoi trofeun për vlonjatet, që festojnë këtë triumf para fansave të tyre./supersport/b.d