Drejtësia ukrainase shtyu sot deri më 18 maj procesin për tradhti të lartë të ish-presidentit, Viktor Janukoviç, strehuar në Rusi që prej rrëzimit të tij, me qëllim për t’i mundësuar të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës.
“Akuzuar për “tradhti të lartë” dhe për shkelje të integritetit territorial të Ukrainës duke rrezikuar kështu burgim të përjetshëm, presidenti i dështuar kërkon të dëshmojë me qëllim që përfundime objektive të mund të vendosen nga drejtësia”, deklaroi avokati i tij, Vitali Serdabs gjatë seancës së parë gjyqësore.
Gjykata e Kievit ku zhvillohet procesi pranoi këtë kërkesë dhe vendosi shtyrjen më 18 maj të seancës së ardhshme gjyqësore.
Viktor Janukoviç u arratis në shkurt 2014 në Rostov-sur-le-Don, në jug të Rusisë, pas disa javëve protestash pro-evropiane në Kiev, shtypur me gjak. Ai u largua më 22 shkurt nga Parlamenti.
Vladimir Putin zbuloi më pas se kjo arratisje ishte bërë e mundur në sajë të një operacioni special të zhvilluar në Moskë dhe destinuar për të bërë të mundur largimin e Viktor Janukoviç.
Autoritetet e reja pro-perëndimore të Kievit kanë kërkuar disa herë ekstradimin e tij. Ata shpresojnë që dënimi i tij për “tradhti të lartë” të mundësojë rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë, akuzuar për mbështetje të separatistësve prorusë në lindje të vendit, gjë që Moska e përgënjeshtron./b.d