Nga Ardit Rada
Ndërsa pak orë na ndajnë nga zgjedhjet e parakohëshme të Kavajës, Partia Demokratike duket se nuk ka asnjë tërheqje nga kërcënimi për protestën që ajo e cilëson si mbarëpopullore. Krahas takimeve me ambasadorë apo dhe me vetë kryeministrin Rama, Lulzim Basha u ka dhënë edhe porositë e fundit aleatëve dhe krerëve të PD në rrethe përsa i përket organizimit të tubimit më 7 Maj në Kavajë.
Tentativa në fjalë me shumë gjasë do përpiqet të tregojë një PD më të madhe, ndryshe nga dita e bllokimit të rrugëve në vend, ku pjesëmarrja të linte për të dëshiruar. Megjithatë përpjekja për të treguar se Kavaja është një paralajmërim edhe për 18 qershorin duket si një krahasim i lidhur artificialisht. Dy data që nuk kanë asnjë lidhje po shfrytëzohen për presion vetëm për faktin se kanë rastisur njëra pas tjetrës. Pra për hir të 18 Qershorit të zgjedhjeve të përgjithëshme, do të “digjet” Kavaja që mbeti pa kryetar.
Sa i përket rastit të Kavajës, shkarkimi i Elvis Rroshit nga detyra dhe zgjedhjet e parakohëshme në Bashki i dhanë dy mundësi opozitës së kryesuar nga Basha. Së pari, largimi nga detyra i ish-kryebashkiakut të sulmuar prej kohësh nga PD mund të cilësohej si një fitore nga kjo e fundit dhe kaq mjafton në debatin politik. Dhe së dyti, i hapi rrugën Lulzim Bashës të hyjë në zgjedhjet e Kavajës, bastionit të pathyeshëm të demokratëve deri në momentin kur në garë hyri Elvis Rroshi.
Megjithatë, për t’iu përmbajtur kërcënimit për 18 qershorin, opozita e çorientuar e Lulzim Bashës do përpiqet të tregojë më shumë sesa akte dhune, një pjesëmarrje të gjerë në Kavajë si shenjë e zërit qytetar në masë kundër qeverisë. Kreu i demokratëve në asnjë moment nuk ka sqaruar formën e protestës dhe mjetet e pengimit të qytetarëve për të votuar më 7 Maj.
Sulmi ndaj zgjedhjeve në Kavajë mund të shihet edhe si një hakmarrje ndaj kësaj bashkie, që përveçse nuk e kanë votuar PD-në në dy palë zgjedhje lokale, kanë refuzuar të votojnë edhe PD si subjekt në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Bëhet fjalë për Kavajën, qytetin ku historikisht dilte deputet Sali Berisha. Kavajën, ku Lulzim Basha do të mbledhë “armatat paqësore”, edhe pse prej ditësh është në një tryezë dialogu ballë përballë Ramës. Tryezë nga e cila shpreson të dalë fitimtar, që të dalë pas 75 ditësh edhe nga çadra. /JavaNews