Sot është marrë vendimi për një fond shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve te miratuar në mbledhjen e qeverisë.
Mësohet se plot 205 290 000 milionë lekë do të jetë shuma që do të shkojë për zhgjedhjet e përgjithshme dhe atyre të pjesshme në Kavajë.
Nga ky fond shuma prej 133 milionë lekësh për KQZ shkon për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në datën e dekretuar nga Presidenti, 18 qershor.
Ndërkaq 65 milionë lekë janë përcaktuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për financimin e fushatës zgjedhore që do t’u shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, në programin “Mbështetje për partitë politike”.
Ndërsa për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë së Kavajës, qeveria ka miratuar një shtesë fondi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej 7 milionë e 290 mijë lekë.
Efekti financiar prej 205 milionë e 290 mijë lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa vendimi do të zbatohet nga Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Vendimi:
PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR FINANCIMIN E SHPENZIMEVE TË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË 18 QERSHORIT 2017, DHE FINANCIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE TË SUBJEKTEVE PËRKATËSE PJESËMARRËSE NË KËTO ZGJEDHJE, SI EDHE PËR FINANCIMIN E ZGJEDHJEVE TË PJESSHME VENDORE PËR KRYETAR TË BASHKISË KAVAJË, TË 7 MAJIT 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 86, pika 2, e 87, pika 1, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, si dhe të vendimit nr.51/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 133 000 000 (njëqind e tridhjetë e tre milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 18 qershor 2017.
- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për financimin e fushatës zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 18 qershor 2017, t’i jepet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili t’u shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, në programin “Mbështetje për partitë politike”.
- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 7 290 000 (shtatë milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar të Bashkisë Kavajë, të datës 7 maj 2017.
- Efekti financiar prej 205 290 000 (dyqind e pesë milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, i parashikuar në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI