Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, po merr pjesë në Forumin Rajonal për Zhvillim të Qëndrueshëm, të organizuar nga Kombet e Bashkuara, në Gjenevë.
Ministri shqiptar i Bujqësisë ishte pjesë e panelit kryesor të ekspertëve për zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë, sektorit bujqësor dhe sigurisë ushqimore. Gjatë fjalës së tij, ministri Panariti theksoi sfidat me të cilat përballet ekonomia botërore dhe impaktin e strategjive afatagjata në zhvillimit e saj, duke marrë në konsideratë ndryshimet klimaterike, politikat mbrojtëse për mjedisin, luftën kundër varfërisë dhe instrumentat e duhura për të vepruar në një aksion të përbashkët të të gjithë faktorëve vendimarrës.
Por, për Ministrin Panariti, kjo nuk mund të realizohet vetë, ndaj kërkoi mbështetje më të madhe financiare nga organizmat ndërkombëtare, për një veprim të unifikuar ndaj këtyre sfidave, të cilat kanë të bëjnë me “përballimin e sëmundjeve zonotike, ndryshime klimatike, përmbytjet, prodhimet vendase, rritjen e eksporteve, etj.
Kreu i Bujqësisë vuri në dukje ecurinë pozitive të bujqësisë shqiptare, në drejtim të rritjes së prodhimit dhe eksporteve Made in Albania. Në këtë kontekst, tha Panariti kërkohen investime për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë rurale shqiptare.
Nevojiten politika rajonale të koordinuara, për një ndërveprim të Komunitetit Ndërkombëtar, tha ai.
“Ministria e Bujqësisë po pregatit një plan 2-vjeçar për zbatimin dhe monitorimin e këtyre objektivave globale. Ndërsa po rrit kapacitetet për statistikat bujqësore, si dhe monitorimin e indikatorëve të zhvillimit të qëndrueshëm. Të gjitha këto programe do të mbështeten me një buxhet të veçantë”, theksoi Panariti./atsh
c.a