Gjatë këtyre dy muajve të fundit çadra e opozitës është mbajtur mbi kunjat e tri gënjeshtrave të mëdha, që mund t’i kushtojë Partisë Demokratike të shkojë deri te e vërteta e pezullimit ose e përjashtimit nga anëtarësimi në Partitë Popullore Europiane.
Gënjeshtra e parë e madhe ka të bëjë me krijimin e iluzionit se në aventurën e saj të kaosit me qeveri teknike, çadra kishte mbështetjen e LSI-së. Gjatë këtyre dy muajve kjo gënjeshtër ka pasur zikzaket e saj, por javës së kaluar është bërë e qartë për të gjithë se në vend që Partia Demokratike ta përdorte Lëvizjen Socialiste për Integrim për interesat e saj, ka ndodhur e kundërta: është Lëvizja Socialiste për Integrim që e ka përdorur çadrën dhe Partinë Demokratike për interesat e veta.
Gënjeshtra e dytë e madhe ka të bëjë me krijimin e iluzionit të mbështetjes së Uashingtonit dhe Brukselit për çadrën. Për këtë gënjeshtër të dytë nuk ka pasur asnjë zikzake se, që në fillim, si Uashingtoni si Brukseli janë pozicionuar qartë, por, megjithatë, Lulëzim Basha ka dashur gjithnjë të krijojë përshtypjen te militantët e vet se mbështetja do të vijë nga dita në ditë me lobingjet e Fatmir Mediut në Uashington, por, së fundmi, vizita e ministrit të Jashtëm Gjerman dhe deklarimet e tij nuk kanë lënë vend për ekuivoke as dhe për militantët më të pashkolluar të çadrës që e kanë zbrazur mllefin e tyre për “Evropin” që blihet me paret e kanabisit nëpër rrjetet sociale dhe te Rilindja Demokratike.
Gënjeshtra e tretë, më e madhja e të mëdhave, ka të bëjë me krijimin e iluzionit që kauza e çadrës ka me vete mbështetjen popullore. Këtë iluzion e krijoi manifestimi i parë i 18 shkurtit dhe hiperbolizimi i shifrave ( 500 mijë), por që në natën e dytë ky iluzion u çmontua: megjithëse kryeqyteti tashmë ka rreth një milionë banorë, çadra mbeti që në natën e saj të dytë e vetmuar dhe vijon të mbesë dhe sot e kësaj dite si një çadër nomade në shkretëtirë. Megjithatë, kjo se ka ndaluar as dje as sot Lulëzim Bashën t’i referohet gjithnjë popullit , duke treguar kësisoj se me iluzionin e mbështetjes së tij ka mbetur vetëm ai.
Në këto kushte, thirrja e Lulëzim Bashës për bllokimin e rrugëve ditën e hënë, duket e dëshpëruar, dhe, më tepër se një thirrje për të demonstruar luajalitet me partnerët e saj politikë të Europës, duket si një kërcënim për delegacionin e PPE-së .
Por, Lulëzim Basha, që i serviloset çdo ditë popullit dhe flet në emër të tij, duket që asnjëherë nuk e ka ditur shprehjen e urtë popullore se dielli duket që në mëngjes dhe ky mëngjes ka perënduar me kohë për çadrën e tij.
Aventura e çadrës i ka ditët të numëruara.
Nëse Lulëzim Basha do të hedhë në tavolinën e negociatave popullin e tij inekzistent, ai ose do të ketë sanksione individuale, siç po paralajmërohet nga departamenti i Shtetit për lidershipin e VMRO-së në Maqedoni, ose Partia Demokratike do të pezullohet për një kohë të gjatë nga anëtarësimi në familjen e Partive Popullore Europiane.
Kësisoj, çadra që u ngrit për t’i vënë vetullat Partisë Demokratike në ditët e saj më të vështira, po shërben për t’i nxjerrë sytë vetvetes.
Ka një arsye të thjeshtë pse po ndodh kjo dhe pse Partia Demokratike gjendet sot në një pozicion të tillë. Ajo kishte njëzet e pesë vjet kohë për t’u shndërruar në institucion, në një parti europiane forumesh, por ka mbetur edhe sot e kësaj dite një parti e nënshtruar nga pasionet e liderit të saj faktik, Sali Berishës, që kauzën personale të mbrojtjes nga Vetingu e shndërroi në kauzë partie për qeveri teknike.
Tri gënjeshtrat e mëdha burojnë prej kësaj axhende personale.
Gjatë historisë së saj njëzet e pesë vjeçare, edhe kur Sali Berisha ishte në kulmet e pushtetit të tij, në Partinë Demokratike ka pasur vazhdimisht zëra kundër axhendave të tij personale. Këta njerëz janë përjashtuar nga Partia Demokratike ose janë larguar në heshtje, por megjithatë ata demonstronin që në të kishte përpjekje për të prodhuar institucione brenda saj.
Fakti , pra, që po vihet në pikëpyetje ekzistenca e saj është se kjo parti po paguan sot për atë që s’e ka bërë për njëzet e pesë vjet: shndërrimin e vetvetes në institucion.
Në rastin konkret, axhenda personale e Sali Berishës kundër Vetingut e ka bërë këtë parti një aneks pa peshë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Edhe sikur Lulëzim Basha të nënshkruajë kokëulur tekstin e negociatave që vijnë nesër, edhe sikur të mos i nënshkruajë ato, Partia Demokratike do të dalë nga aventura e çadrës si një aneks i spektrit politik aktual. Ky do të jetë sanksioni më e madh që do të marrë ajo prej sindromës së eksperimentimeve me kaosin.