Tom Doshi, ish-deputet i Partisë Socialiste, nuk ka ndërmend të largohet nga e majta. Në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit ai do të kandidojë për deputet me siglën e Partisë Social Demokrate (PSD) të Skënder Gjinushit. Një fakt të tillë e ka pohuar vetë Gjinushi në “Opinion”. Sipas tij, Doshi do kandidojë për deputet në listën e PSD-së në qarkun e Shkodrës.
Tom Doshi u përjashtua nga Partia Socialiste një vit më parë kur deklaroi publikisht se ndaj tij po përgatitej një atentat, i cili sipas tij ishte urdhëruar nga kreu i Kuvendi Ilir Meta. Pas këtyre deklaratave të cilat u konsideruan të rreme, Kryesia e Partisë Socialiste e ka përjashtuar Doshin nga partia. Pavarësisht këtij vendimi të PS-së, Doshi nuk e tradhtoi të majtën, por në Kuvend votoi çdo projektligj të qeverisë edhe atëherë kur koalicionit i duheshin më shumë se kurrë votat, sidomos ato me shumicë cilësuar.