Gjykata e Tiranës liroi dje nga qelitë e paraburgimit nëntë nga dhjetë personat e arrestuar pas gjetjes së një tuneli të përshtatur për kultivim kanabisi në zonën e Shkozës. Vetëm një prej të arrestuarve për atë që, sipas Policisë ishte një laborator droge, do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Gjyqtari i gatshëm, Artan Lazaj, vendosi lënien në qeli të të arrestuarit Gerald Bilimani. Sipas Prokurorisë, 59-vjeçari Bilimani është personi që ka marrë me qira ambientin e dy tuneleve pranë ish-Uzinës së Autotraktorëve, ku u gjetën pajime elektrike ngrohjeje dhe ndriçimi artificial për rritjen e kanabisit në ambiente të mbyllura.
Për të arrestuarit Arjan Kara dhe Ramazan Losha, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës “arrest shtëpie”. Ata ishin roje të një shoqërie privatë të angazhuar në ruajtjen e ambienteve të dy tuneleve në Shkozë. Po me kërkesë të organit të akuzës, gjykata vendosi lirimin nga paraburgimi për shtatë të arrestuarit të tjerë për të njëjtën çështje.
Prokurori i çështjes i bëri me dije gjykatës se për ta nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur dyshime se mund të jenë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në dy tunelet e Shkozës. Mes tyre ishte edhe pronari i tuneleve, Hazmi Pallaku, i cili i kishte dhënë ato me qira, Gjergji dhe Kristi Duro, si edhe punonjësi i OSHEE-së, Robert Minoni.
Ambienti ku mund të kultivoheshin mijëra rrënjë kanabis u zbulua të premten gjatë një operacioni të shërbimeve të Komisariatit nr.1, pas një hetimi disaditor. Policia ndërhyri në dy tunele të kamufluara si vende për prodhimin e plastikës, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative se aty kultivohej kanabis. Në ambientet e mbyllura policia sekuestroi gati 47 kg kanabis sativa të paketuara në qese plastike, mbi 1300 kubikë me lëndë narkotike dhe 200 bimë kanabis.
Po aty u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale llamba fosforeshente, që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe pajisje të ndryshme që shërbenin për funksionimin e këtij laboratori, si dhe pompë uji, depozitë uji, pajisje elektrike, pleh kimik dhe sende të tjera.
ma.me