Ndërsa priste që Ilir Meta të futej sot në çadër bashkë me ministrat e tij të dorëhequr, ku portalet pro-opozitës dhe disa analistë kanë 48 orë që e bëjnë fakt në rrjetet sociale rënien e qeverisë, Lulzim Basha ka mbajtur fjalimin më të ashpër dhe me gjuhë më të egër ndaj ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë.
Në fjalimin e tij Basha tha se “Projekti i vettingut është projekt mafjoz ku janë përfshirë diplomat të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertët e BE dhe së shpejti ora do të vijë kur të japin përgjegjësi demokratike në një institucion demokratik siç është BE.
Komploti është zbuluar, jo herët por në kohë. Gjithcka është bërë me një qëllim, jo për të ndihmuar Shqipërinë për të patur prokurorë e gjyqtarë të pavarur, por për ti dorëzuar drejtësinë Edi Ramës. Ky ka qenë projekti, një projekt jo pro Shqipërisë por Edi Ramës.
Ne jemi këtu, jam këtu, i vendosur të qëndroj si pengesë totale për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë më.
Formula jonë është Nuland- Hahn dhe jo si formula Rama Tahiri Shullazi”.
Dhe jo ndonjë i korruptuar me pasaportë të huaj, që spo ja them emrin sa për kortezi dhe që së shpejti do të japë llogari”.
Mirëpo ku qëndron fshehta e këtij shpërthimi?!
Qëndron pikërisht tek vetë Basha, i cili sot u zbulua se nuk e ka pasur këtë betejë me Edi Ramën por me ndërkombëtarët; që siç duket kanë vendosur për të mos u marrë peng nga kërkesat maksimaliste të PD-së, por të vazhdojnë në rrugën e zbatimit të Vettingut.
Siç dhe Basha e tha, ndërkombëtarët jo vetëm mbështetën por i dhuruan PD-së të ashtuquajturën formulën Nuland- Hahn, që u negocua nga ish-zyrtarja e lartë e DASH-it dhe Komisioneri i BE-së për zgjerimit, që i jep opozitës kontrollin me 50% të komisioneve të vettingut.
Por ç’ndodhi? Basha në një farë mënyre, apo thënë troç fare i preu në besë ndërkombëtarët dhe nuk e zbatoi këtë dhuratë, nuk e vuri në përdorim.
Ishte vetë reporteri i Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein, i cili i pari i kërkoi PD-së që të mos e shpërdoronte dhuratën apo përgjegjësinë e kontrollit të 50% të Vettingut.
Pas eurodeputetit gjerman,thirrjet kanë ardhur nga nga dinjitarë të lartë nga Europa por edhe nga SHBA.
Dy zyrtarë pranë Angela Merkel deklaruan me shkrim dhe me gojë se PD duhet të rikthehet te VettingU menjëherë.
Më pas ishte zyrtari i lartë i DASH-Iit, Hoyt Lee, ose drejtori për Ballkanin dhe Euroazinë-i ngarkuar me Shqipërinë, që kundërshtoi bojkotin e në veçanti braktisjen e Vettingut.
Por Basha shpërtheu sot pas një fjale shumë të fortë të Knut Fleckensteinit ditën e djeshme.
Ai i cili refuzoi në mënyrë të prerë zgjedhjet e parakohshme dhe qeverinë teknike, tha se “protesta e opozitës mund të jetë jo vetëm për të bllokuar Vettingun”.
Kjo frazë e eurodeputetit gjerman ka qenë më e ashpra pasi e ka futur qëndrimin e opozitës shqiptare në qëndrimet që deri tani nënkuptohen por kurrë nuk ishin thënë publikisht.
Pra e ka akuzuar hapur për një aleancë gjeopolitike me linjën e Gruevskit që lidhjen e ka në kryeqytete si Athina apo Moska që padyshim kanë mbrapa interesa të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike.
Madje edhe turi ballkanik i senatorit republikan John McCain është pikërisht rreziku rus dhe shpëtimi i rajonit nga kjo influencë.
McCain vjen të premten në Tiranë dhe pritet që ta thojë hapur këtë qëndrim.
Dhe duke parë mos ndryshimin e qëndrimit të opozitës shqiptare, por ecjen e saj drejt një përplasje fatale, ndërkombëtarët duket se kanë parashikuar edhe variantin B, pra nëse PD nuk voton Vettingun dhe nuk shkon në zgjedhje.
Ata kanë vendosur të mos ta ndjekin Bashën në rrugën e tij të “vetëvrasjes politike” duke gjetur një shteg për ta miratuar Vettingun, për ta implementuar Reformën në Drejtësi dhe për të ngritur institucionet që do të pastrojnë politikën shqiptare nga korrupsioni.
Këtë e kuptoi Basha, që në fillim nxori Vangjel Dulen, i cili në mënyrë cinike aludoi për një diplomat, i cili e ka këshilluar të mos ndjekin PD-në në rrugën e saj, që duket hapur se nuk përputhen në interesat europiane dhe amerikane që kanë investuar miliona në Eeformën në Drejtësi, e më pas doli vetë në çadër duke deklaruar se tashmë të gjithë përfaqësuesit zyrtarë të Perëndimit janë të korruptuar nga mazhoranca.
Në fakt, thirrja e Bashës sot ishte një presion i hapur ndaj ndërkombëtarëve se ai nuk do të tërhiqet por do të qëndrojë fort si “digë” për t’jua bërë nul projektet tashmë të miratuara dhe që duket nuk kanë tërheqje pas.
Shqipëria po ndodhet drejt një rruge që natyrisht mund të ketë në elitën politike një event dramatik, por në fund ka një rrugë që duket se nuk ka kthim pas.
Por edhe opozita ka bërë të ditur se do të përdorë të gjitha mekanizmat. Alfred Lela, një nga zëdhënësat mediatik të Bashës, në një nga debatet në Top Story, e paralelizoi lëvizjen e opozitës me UÇK-në e cila në fillim nuk u pranua nga ndërkombëtarët por u sulmua ashpër e më pas u përkrah.
Pra përveç paralelizmit aspak elegant dhe të qëlluar për rastin, u bë e ditur se Basha ka menduar edhe skema parapolitike dhe jashtë sistemit.
Paralajmërimi është i qartë: përpara kemi një betejë të ashpër por sipas gjasave vendimtare…(Tesheshi.com)