Kryetari i PD, Lulzim Basha ka aluduar sërish për komplot të qeverisë dhe ndërkombëtarëve që mbështesin republikën e vjetër. Sipas liderit të opozitës, “lobistët e paguar me paratë e drogës në BE dhe lobisti i paguar në Washington me paratë e ARMO-s po mbajnë në këmbë republikën e vjetër”
“Miliardat e drogës paguajnë lobistë të BE-SHBA për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër. Ky është komploti me i poshtër dhe tinzar në histori. Kemi një qeverisje fadasë, një qeveri kukullash. Lobistët e paguar me paratë e drogës në BE dhe lobisti i paguar në Washington me paratë e ARMO-s po mbajnë në këmbë republikën e vjetër. ARMO financon lobingje të ndyra në Uashington kundër interesave të shqiptarëve“, tha Basha në çadrën e protestës.
Basha insistoi sërish në kërkesën e tij për qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai tha se nuk do të pranojë të bëjë pazarë për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër. Basha shtoi se nuk do të pranojë kurrë një dialog fasadë, që, sipas tij, do të ketë si qëllim të garantojë vazhdimin e pushtetit të Ramës dhe qeverisë së inkriminuar.
“Nuk bëjmë pazar për mbijetesën e republikës së vjetër. Duan të mbajnë me çdo kusht në këmbë qeverine e krimit. Nuk duan një dialog ashtu siç e ka përcaktuar populli me 18 shkurt. Duan dialog fasadë me fjalime të përgatitura ashtu siç bënë një vit më parë. Monologje shterpë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj. Jemi të hapur për një dialog të vërtetë politik me dy objektiva: ndërtimin e qeverisë teknike më mbështetje të gjerë politike dhe përcaktimin e mandatit të kësaj qeverie për dekriminalizimin e institucioneve, luftën kundër drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Teksa ftoi të gjithë faktorët politikë të përgjegjeshëm, Basha falënderoi edhe Metën dhe Idrizin për qëndrimet e mbajtura.
“Ftoj dhe mirëpres çdo faktor politik të përgjegjshëm. Mirënjohje njërit nga partnerët e koalicionit për përgjegjshmërinë e treguar para 3 ditësh dhe mirënjohje PDIU për qëndrimin e saj”, tha Basha./javanews
a.ç