Qeveria ka miratuar dëmshpërblimin e rreth 4.000 familjeve që u dëmtuan nga përmbytjet në zonën e Nën-Shkodrës në vitin 2010, proces i cili do të zgjasë dy muaj.
Dëmi i vlerësuar në total është 1.1 miliard lekë, dhe vetëm gjysma e tij ishte likuiduar nga qeveria e kaluar.
Fondi do të jepet nga Koorporata Elektro-Energjitike Shqiptare, c ila do të bëjë rakordimet për dëmet e pashlyera dhe më pas do të kryejë pagesat përmes bankave të nivelit të dytë.
Vendimi
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.842, DATË 6.12.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E VLERËS SË KOMPENSIMIT TË DËMEVE TË SHKAKTUARA NË KULTURAT BUJQËSORE E NË BIZNESE NGA RESHJET E SHIUT DHE PËRMBYTJET, NË QARKUN E SHKODRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pikat 3, 4 dhe 5, të vendimit nr.842, datë 6.12.2011, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Diferenca e palikuiduar nga vlera e kompensimit, prej 1 112 303 342 (një miliard e njëqind e dymbëdhjetë milionë e treqind e tre mijë e treqind dyzet e dy) lekësh, që do të rezultojë pas rakordimit të shumave të paekzekutuara ndaj familjeve dhe subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të paguhet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.)
Për këtë qëllim, KESH, sh.a-ja., të realizojë rakordimin e shumave të mbetura të paekzekutuara ndaj familjeve dhe subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi. Rakordimi i detyrimit të mbetur pa u ekzekutuar të bëhet nga KESH, sh.a-ja., bazuar në:
– të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për listën e plotë të familjeve dhe subjekteve të cilat përfitojnë kompensim, në të cilën duhet të evidentohen vlerat fillestare, vlerat e shlyera dhe vlerat e mbetura të detyrimit;
– të dhënat e shoqërisë OSHEE, sh.a., për listën e plotë të familjeve dhe subjekteve të dëmtuara, për të cilat, në zbatim të parashikimeve të vendimit nr.482, datë 6.5.2015, të Këshillit të Ministrave, janë shuar detyrimet e energjisë elektrike që kishin ndaj OSHEE, sh.a-së., me të drejtën për kompensim, përfituar sipas parashikimeve të vendimit nr.842, datë 6.12.2011, të Këshillit të Ministrave.
Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe OSHEE, sh.a.-ja, të sigurojnë të dhënat e përcaktuara në pikën 3, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
4. KESH, sh.a-ja., pasi të rakordojë detyrimet e pashlyera, të fillojë menjëherë kryerjen e drejtpërdrejtë të pagesave ndaj subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të cilave nuk u është përmbushur detyrimi i dhënies së kompensimit për dëmet në kulturat bujqësore dhe në biznese.
Kryerja e pagesave të bëhet drejtpërdrejt nga KESH, sh.a-ja., nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, me të cilat KESH, sh.a-ja., do të bashkëpunojë për dhënien e këtij shërbimi. Procedurat e pagesës përcaktohen me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë.
KESH, sh.a-ja., ngarkohet të informojë, me shkrim, pranë Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit të Qarkut Shkodër dhe Prefektit të Qarkut Shkodër në përfundim të procesit.
5. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Punëve të Brendshme, KESH, sh.a-ja., dhe OSHEE, sh.a-ja., për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.