Aleksandër Vucic, Presidenti i sapozgjedhur nga presidencialet e së dielës në Serbi, i ka dhënë si përgjigje kritikëve të tij përmes prestigjozes britanike “The Guardian” duke u thënë shprehjen serbe; vetëm gomerët nuk ndryshojnë. Në një përpjekje për të adresuar të kaluarën e errët si njeriu propagandë i Miloshevicit dhe ndëshkimit të gazetave serbe për raportimin e situatës në Kosovë në 1999-tën, 47 vjecari Vucic u vetdeklarua si i transformuar në ide, në bindje dhe në mënyrën e sjelljes me pushtetin. Të paktën 55% e votuesve serbë e besuan retorikën e re të Vucic-it të vjetër.
Por politikani që u deklarua i ndryshuar, nuk arriti t’i bindtë analistët kritikë ndaj qeverisjes autokratike në dy mandatet si Kryeministër apo dhe në atë që konsiderohet si manovër e Vucic për ta transformuar pushtetin e Presidentit, në një zyrë të gjithëpushtetshme, duke qeverisur përmes një Kryeministri kukull, pak a shumë si stili Gjukanovic në Mal të Zi, apo Erdogan në Turqi.
Gjatë fushatës elektorale Aleksandër Vucic u investua të shfaqte imazhin e liderit perëndimor që buzëqesh krah Merkelit, Putinit dhe liderëve të tjerë europiane. Falë aftësive për të flirtuar me Rusinë dhe “kërcënuar” Brukselin, Vucic ja ka dalë të avancojë axhendën europiane duke negociuar tashmë kapitujt që i paraprijnë hyrjes në BE. Të gjitha këto arritje, politikani serb me anglishten e pastër të përmirësuar gjatë një viti pune në Britaninë e Madhe, i ka përfituar duke mos njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke mos respektuar marrëvëshjet e dala nga dialogu i sponsorizuar nga Brukseli “Beograd-Prishtinë”. Me pak fjalë, vetëm kostumin e europianit ka të ri, pjesa tjetër e sjelljes është po aq e vjetër sa retorika nga kohërat e diktatorit komunist Tito, me të cilin I pëlqen të krahasohet thonë analistët serbë, jo në sferën politike, porn ë veprat publike që realizon si hekurudhat, autostradat etj
Në kohën kur ish bashkëpunëtori I Miloshevicit ka u votua si europianist, në Shqipëri procesi I integrimit ka mbetur peng i “gomerëve që nuk ndryshojnë” , nëse huazojmë shprehjen frazeologjike të Vucic. Axhenda e integrimit është pengmarrë nga interesat politike të partive që kur janë në opozitë me qeverisjen e radhës bëjnë të pamundurën për ta nxirë Shqipërinë në Bruksel, duke kryer një akt egoizmi të dënueshëm për dëmin që u shkakton interesave kombëtare.
Duke konsideruar që edhe qeveritë kanë qenë më shumë të fokusuara tek përfitimet e tyre nga pushteti, duke dobësuar institucionet në vend të forcimit të pavarësisë, duke u sjellë në mënyrë arrogante me opozitën, qytetarët shqiptarë janë detyruar të pagujanë faturat e kokëfortësisë politike, përkundrejt një jete dinjitoze të ëndërruar në një Shqipëri europiane.
Aq shumë akuza dhe zell për të nxjerrë anët negative të Shqipërisë, edhe kur janë të justifikuara, sa artikulojnë politikanët që kanë statusin e opozitarit, nuk tregojnë as të ashtëquajturit “armiqtë” e shqiptarëve apo rivalët në rajon. Shqiptarët dhe interesat e tyre për mirëqenie, shtet të së drejtës dhe mungesë korrupsioni duhet të përfaqësohen nga politikanë të rinj a të vjetër që e kanë pjekurinë dhe ndërgjegjen kombëtare më të rëndësishme se karrigia e pushtetit politik. Qofshin dhe gomerë të ndryshuar!