Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi të mërkurën se qeveria ka përgatitur ndryshimet në buxhetin e shtetit, të cilat parashikojnë ulje drastike të shpenzimeve, për shkak të korrupsionit masiv.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se opozita do t’i shpallë luftë frontale korrupsionit dhe kontrabandës.
“Do të heqin investimet në shkolla e çerdhe, sepse paratë janë vjedhur. 150 milionë dollarë që iu vodhën në tatime e dogana nuk shkuan për shqiptarët”, deklaroi Basha.
Sipas tij, qeveria rriti taksat, akcizat e tatimet, por të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë në rënie për shkak të evazionit e kontrabandës, gjë që ka çuar në rritjen e varfërisë e papunësisë. Duke folur më tej për ekonominë, Basha vuri në dukje se investimet e huaja janë pranë zeros, ndërsa kreditë e brendshme në pikiatë. Kjo është skema”, tha Basha.
Kreu i Partisë Demokratike, Basha ripërsëriti edhe akuzën për blerjen masive të votës nga qeveria në zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas tij, pretendimet e opozitës u mbështetën edhe nga raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it.