Kreu i grupit demokrat doli sot në një konferencë për mediat duke akuzuar kryeministrin Rama për shkelje të ligjit të zgjedhjeve. Sipas tij, kjo pasi ka ndërruar qendrën e tij të votimit 5 ditë para votimit të 21 qershorit.
“Duke mos e konsideruar rregullin e ligjin, duke i shkelur me këmbë me vetëdije të plotë, Edi Rama ka paraqitur kërkesën për të votuar në qendrën pranë sarajeve të tij në Surrel, vetëm 5 ditë para zgjedhjeve” – tha Edi Paloka.
Paloka tha se me një kërkim të thjeshtë, del se emri i Edi Ramës është shpallur me 11 maj në qendrën e tij të mëparshme të votimit, në shkollën Pjetër Budi. “Pas kësaj, ai nuk mund të votonte diku tjetër. Në fakt, ligji u shkel, dhe z.Rama u shfaq si votues i Surrelit” – tha kreu i grpit parlamentar të PD.
Paloka theksoi se ky nuk është një akt i izoluar, një aksident, apo një neglizhencë e pafat.
“Partia Demokratike do ta thellojë çdo ditë aksionin e saj në denoncimin e shkeljeve dhe manipulimit të zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë meritojnë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme” – përfundoi ai.