Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në promovimin e librit “Legalizimet, Durrësi mikpritësi i madh” me autor Flamur Gjuzin, i cili është njëkohësisht edhe Drejtor i ALUIZNI-t të Qarkut Durrës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, etj.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë këtij aktiviteti Ilir Meta, tha se nëse sheh qytetarin si një qenie njerëzore, që ka vuajtur shumë për të hedhur themelet për një jetë të re, çdo drejtues ta gjejë zgjidhje. Por edhe nëse zgjidha është e pamundur, patjetër duhet bërë gjithçka që qytetari ta kuptojë që drejtuesit jetojnë me shqetësimin e tij.
“Nëse e do qytetarin dhe po e ndjeve përgjegjësinë për t’i zgjidhur një problem, po e pe atë jo si statistikë por po e pe vërtet si një qenie njerëzore, sociale që ka vuajtur shumë për të kursyer dhe për të investuar, për të hedhur themelet për një jetë të re, shpresë të re, patjetër do ta gjesh një zgjidhje. Por edhe nëse zgjidha është e pamundur, patjetër që do të bësh gjithçka që ai ta kuptojë që ti jeton me shqetësimin e tij”, – tha Meta, duke shtuar: – “Prandaj për dimensionin njerëzor të Flamurit si drejtues, edhe unë jam këtu për të shprehur mirënjohjen më të madhe dhe me këtë rast dua të kërkoj nga drejtuesit tanë, ndenjën e humanizmit dhe duhet t’i kritikojmë gjithmonë për ndjenjën e arrogancës kur ata e harrojnë”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Autori i librit “Legalizimet, Durrësi mikpritësi i madh”, Flamur Gjuzi, shpjegoi se si lindi ideja e realizimit të botimit dhe se ky punim fokusohet në një prej veprimtarive më të rëndësishme shtetërore.
“Ideja për këtë botim më lindi diku nga viti i dytë i drejtimit të institucionit por hulumtimin e nisa thjeshtë për kënaqësinë time. Por në fakt rezultatin e këtij procesi hulumtimi dhe botimi ia dedikoj plotësisht stafit tim. Sepse rezultati i arritur është bërë vetëm për shkak të punës së tyre të palodhur. Ky punim përqendrohet në prezantimin e një prej veprimtarive më të rëndësishme të administratës shtetërore dhe pikërisht ALUIZNI në qarkun Durrës”, – u shpreh Flamur Gjuzi.
Ndërsa, deputetja Monika Kryemadhi, tha se bërja e një libri të tillë është shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me proceset e zhvillimit të vendit dhe një prej zhvillimeve më të rëndësishme që është legalizimi i ndërtimeve.
“Bërja e një libri të tillë është shumë e rëndësishme, sepse ne fokusohemi në librat artistikë, historikë, por kemi mangësi të madhe për librat që kanë të bëjnë me proceset e zhvillimit të vendit dhe një prej zhvillimeve më të rëndësishme është legalizimi i ndërtimeve. Ajo certifikatë që institucionet tuaja u shpërndajnë qytetarëve është pasuri, është para, që deri më dje shqiptarët i kishin hedhur në ndërtimet e tyre, por nuk i kishin të legalizuara. Tani legalizimi u jep atyre shansin për të marrë kredi, për të hipotekuar pronat, për t’i përfshirë në biznes, për të krijuar vende pune të reja dhe për të krijuar një standard më të mirë”, – deklaroi Kryemadhi.
a.ç