Bashkia e Tiranës, e mbështetur nga vullnetarë e qytetarë të Tiranës, ka nisur sot një aksion pastrimi në të 24 Njësitë Administrative të kryeqytetit. Aksioni nisi në orën 09.00 të mëngjesit në të gjitha njësitë administrative, të cilat janë organizuar në zona të përcaktuara më parë nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, fillimisht iu bashkua aksionit të pastrimit në zonën e Farkës pranë liqenit të Thatë ku theksoi se falë angazhimit të bashkisë, situata e pastrimit ka ndryshuar.
“Jemi ku e ku krahasuar me një vit më parë, ku e para ishte bashkia që dështonte. Sot jemi situatë tjetër ku bashkia është në krye të punëve, ku vetë kryetari vë dorezat e merr qeset për të mbushur plehrat. Do të thotë që çdo punëtor i bashkisë e bën këtë. Ajo që ka ndryshuar është sensibilizimi. Dua të falënderoj gjithë ata vullnetarë sot, ku shumë qytetarë që ndoshta sot kishin ditën e tyre të pushimit, në pika shumë periferike të Tiranës, kanë lënë ditën e tyre për t’ia kushtuar këtij aksioni qytetar. E vlerësoj jashtë mase, vetëm kështu e ndërtojmë qytetarinë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se do t’i propozojë qeverisë edhe ndalimin e përdorimit të qeseve plastike sikurse shumë qytete moderne në Europë e bëjnë.
“Është shuam e rëndësishme që ne të kemi disa politika shumë të rrepta dhe duke filluar nga java që vjen, supermarketet do të vënë një pagesë modeste për qeset, kjo jo për të rikuperuar koston, por për të krijuar një barrierë edhe psikologjike, për t’u kujtuar njerëzit që më mirë të mos e marrin fare se sa ta ndosin. Do t’i propozoj këshillit bashkiak që ne të shkojmë në masa edhe më drastike për ndalimin e qeseve në Tirana edhe sigurisht do t’i propozoj qeverisë Rama që ne të shkojmë si vendet moderne, që kanë marrë një vendim kombëtar për të ndaluar me ligj qeset plastike që janë ndotësi kryesor për qytetin tonë”, tha ai.
Veliaj deklaroi se do të ketë sanksione dhe për ata që inertet apo gomat i hedhin në vende të papërshtatshme. “Dua të bëj thirrje për të gjithë ata që bëjnë punë në banesat e tyre dhe gjithë inertet i vënë buzë rrugës. Nuk mbarojnë gurët, tulla etj. Ka vende depozitimi ku këto mund të bëhen në mënyrë shumë herë më të civilizuar. Dua t’i bëj thirrje të gjithë gomisterive, ne kemi vënë disa gjoba shumë të rrepta. Do të vazhdojmë të vëmë gjoba. Kryeqyteti i ëndrrave tona është kur ka një vend për inertet, një vend për gomat”, tha kryebashkiaku.
Aksioni i pastrimit nga ndërmarrjet e bashkisë dhe qytetarët për heqjen e mbetjeve do të vijojë gjatë gjithë ditës.