Detektivi privat Yoram Frig dyshohet se ka njohje të zgjeruara në Shqipëri. Ai ka hyrë në vendin tonë të paktën katër herë. Prokuroria dyshon se i ndaluari me pajisjen e dyshimtë në Rinas ka hyrë në Shqipëri në vitin 2011, 2014, 2015 dhe së fundi, më 22 mars 2017.
Hyrja e fundit këtë vit është sqaruar në njëfarë mënyre, pasi izraelitit i janë bllokuar të gjitha pajisjet që kishte me vete si telefoni, pajisja skanuese e përgjuesve, por edhe pasaporta e dokumentet që kishte me vete, i paqartë është aktiviteti i “detektivit” në tri hyrje-daljet e tjera në Shqipëri.
Një burim nga prokuroria ka bërë me dije dje se pas nisjes së hetimeve për akuzat e “përgjimit të jashtëligjshëm i të dhënave kompjuterike”, si dhe “shpërdorim të detyrës”, verifikimet janë përqendruar pikërisht tek aktiviteti i shtetasit izraelit.
“Ai pretendon se është detektiv privat dhe se pajisja me të cilën u ndalua në Rinas është legale dhe përdoret prej tij në mënyrë të licencuar. Megjithatë, hetimi ka nisur dhe verifikimet po bëhen për të zbardhur të gjithë veprimet e këtij shtetasi në Shqipëri dhe nëse ndonjë nga këto veprime bie ndesh me legjislacionin shqiptar”, kanë thënë burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që të kërkohen të dhëna jashtë shtetit në lidhje me licencën, aktivitetin dhe profesionin e të ndaluarit në Rinas. Këto verifikime të thelluara, sipas Prokurorisë, do të bëhen me qëllim zbulimin e së vërtetës në lidhje me aktivitetin e 51- vjeçarit Yoram Frig.
HETIMET
Pavarësisht pretendimeve dhe dëshmisë së dhënë nga 51-vjeçari izraelit, Prokuroria e Tiranës ka pohuar se do të verifikojë deri në fund me prova aktivitetin e Yoram Fring. “Hetimi po vazhdon nëse ka pasur shkelje ligjore, veprime të paligjshme, apo cenim të sigurisë kombëtare”, kanë thënë burimet e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, prokurori i çështjes ka sekuestruar të gjitha pajisjet e dokumentet e “detektivit”, por nga ana tjetër po shikohet nëse ai ka kryer përgjime apo survejime gjatë qëndrimit në Shqipëri. Një aspekt i veçantë i hetimit mësohet se është verifikimi nëse 51-vjeçari ka ndërhyrë në të dhëna kompjuterike në Shqipëri.
Nga ana tjetër, i ndaluari izraelit në Rinas duket se është një personazh me aktivitet të gjerë jo vetëm në Izrael e në Shqipëri, por edhe më gjerë sesa kaq. Emri i 51-vjeçarit Yoram Fring është bërë publik edhe më herët nga mediat ndërkombëtare gjatë skandalit të “Panama Papers”.
Ai është lakuar si person që dispononte kompani të regjistruara në ishujt offshore. Kompanitë e tij quhen “Faturenet Holding corp” Oracle FLEXCUBE Know-How e regjistruar në ishullin e Qipros.
Në Izrael ky shtetas ka edhe një kompani tjetër të quajtur “Investigation and Security”. Ka dyshime se pikërisht nëpërmjet kësaj kompanie ky shtetas jepte asistencën e tij kundrejt personave të interesuar për shërbime të avancuara të sigurisë./Panorama/a.m.