Ku dhe kur ndodhi atentati?
Banorët e Komunës së Rrushbullit, afro 7 km larg Durrësit, u lajmëruan për një vizitë elektorale të Presidentit, që do të zhvillohej në njërin fshat të komunës rreth orës 18.00. Komuna e Rrushbullit, e cila përfshin 8 fshatra dha ka gati 20 000 banorë, e priti Presidentin në shkollën 8 vjeçare “Hamza Muça” të fshatit Shkallnur. Z. Berisha i shoqëruar (sipas dëshmitarëve) nga rreth 14 makina me targa zyrtare arriti rreth orës 18.20. Në sheshin e vogël, ku zakonisht nxënësit mblidhen për pushimet midis orëve, kishte 250 pjesëmarrës në miting (sipas mjekut të fshatit), ose gati 2000 persona sipas ndonjë dëshmitari tjetër, që pohon se kishte shumë njerëz të panjohur, ardhur ndoshta nga fshatrat e tjerë të komunës. Pyetjes sonë në janë kontrolluar paraprakisht njerëzit, para ardhjes së Presidentit, shumëkush i përgjigjet: “Jo.”
Në fshat, ndonëse kur hyjmë, një grup djemsh na thonë: “Hë do ta sillni prapë Salën?”, ndihet animi politik djathtas. Ata shprehen se në 26 maj ka fituar bindshëm deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferri. Shkallnuri është 100 metra larg detit, ka toka të pasura dhe prodhimtare, ka pak banorë të ardhur dhe pjesa më e madhe e fshatrave nuk ka shumë për tu ankuar nga vitet e demokracisë, duke qenë se kanë parë më keq në diktaturë. Ata tashmë janë mësuar me mungesën e ujit, prishjen e kinemasë së mëparshme, apo mospasjen e një vatre kulture si dikur, ndaj shfaqën entuziazëm për ardhjen e kreut të shtetit dhe dolën familjarisht në shesh për ta përshëndetur. Megjithatë, shumëkush është indiferent ndaj politikës. Interesohen vetëm për bukën e fëmijëve, lexojnë ndonjë gazetë, kanë dëgjuar për fushatën, por nuk kuptojnë pse pikërisht në fshatin e tyre duhej të qëllohej, Presidenti i Republikës, duke rrezikuar kësisoj jetën e njerëzve që kishin mbushur sheshin.
“Nëse dikujt s’i pëlqen Berisha – shprehet një grua- le ta vrasë ballë për ballë, por jo mes njerëzish pafaj.”
Ndërkaq dëshmitë e tyre për atentatin janë nga më kontradiktoret, madje ka nga ata që pohojnë se nuk është qëlluar me bombë, por me një gur të zi. Sidoqoftë për një fakt ata të përgjigjen në union: “Nuk është dëgjuar kurrfarë shpërthimi bombe. “Koha Jonë” në numrin e së enjtes është e pasaktë.”
Ata të çojnë në shtëpinë e djalit, që sipas opinionit të përgjithshëm, është heroi i ditës. Fëmija 5 vjeçar shpëtoi Presidentin nga vdekja dhe jo vetëm atë…
Si dështoi tentativa vrasëse?
Nga një shtëpi e vjetër dhe modeste e Shkallnurit nxjerr kokën një djalë 5 vjeçar, i cili tregon se: “Kur njerëzit thërrisnin “Rroftë Sali Berisha” unë i ngritur në krahë nga babi, pashë një burrë që mbante në gojë një gjë jeshile. Thirra: “Ba, ky xhaxhi ka një gjë” dhe pastaj u bë rrëmujë e madhe. Kur rrëmuja mbaroi një burrë pranë xhaxhi Saliut më puthi duke më falënderuar që i shpëtova jetën.”
Djali quhet Lorenc Bruci, ndërsa babanë e tij Islam Bruci, që nuk ndodhej në shtëpi, detyrohemi ta kërkojmë në Bishtpallë, ku punon si kuzhinier në Repartin e Marinës. Ai rrëfen se ndodhej 5 metra larg Presidentit dhe ndërsa ai kishte rreth 8 minuta që fliste, i biri i tërheq vëmendjen për një njeri pas tij. Kur kthen kokën shikon se tjetri po përpiqej të hiqte me dhëmbë siguresën e një granate jeshile. Ndërsa lëshon djalin nga krahët, njeriu thërret “Poshtë Sali Berisha” dhe nuk mundet të vazhdojë më heqjen e siguresës, pasi Islami i hidhet sipër për ta ndaluar. Megjithatë ai e hedh granatën, që bie mbi mikrofonin e instaluar, e rrëzon, godet derën e shkollës, për të përfunduar në këmbët e njerëzve. Granata edhe pse e hedhur kuturu, kishte shënjuar presidentin, i cili me një anim koke ka mundur t’i shpëtojë. Njëri prej rojeve presidenciale e ka marrë granatën në dorë, që Bruci shpjegon se ishte ofensive me rreze veprimi 200 m, (Islam Bruci e saktëson këtë fakt, para se të dhënat të jepeshin në lajmet e orës 20.00) duke e çaktivizuar. Ndërsa populli është zmbrapsur, kanë ardhur menjëherë pranë granatahedhësit, të izoluar nga Bruci, dy roje të presidentit, një civil i panjohur dhe Azem Hajdari.
Gjithmonë sipas dëshmitarit, civili, por dhe dy të tjerët, që ai i epiteton “të sigurimit”, kanë nisur ta qëllojnë atentatorin dhe janë ndaluar vetëm kur Hajdari i ka urdhëruar: “Mos e vrisni. Na duhet!”. Mandej e kanë larguar me një makinë drejt Tiranës, ndërsa populli dhe rojet e tjera janë afruar sërish, dhe Presidenti, me gjithë kundërshtimin e shoqëruesve, ka dalë nga qoshja ku e kanë futur për ta mbrojtur, duke vazhduar fjalimin ku e kishte lënë. Në fund, ndërsa Berisha largohej, Lorenci 5 vjeçar i është afruar me një tufë lulesh që i shtrëngonte në duar prej fillimit të mitingut dhe i ka pëshpëritur, teksa e përqafonte: “Xhaxhi duam paqe”. “Unë –thotë Islam Bruci- jam i lumtur që i shpëtova jetën Presidentit, kur një gjë të tillë s’e bënë dot as rojet e shumta, që u larguan të trembur, më keq se populli. E mbulova me trupin tim djalin që hodhi granatën dhe isha i vendosur të mos e lija të ikte, derisa arritën ata që nisën ta qëllojnë. Presidentin ne e kemi zgjedhur vetë. Do e heqim po vetë po s’na pëlqeu, por si lejohet kujt ta vrasë. Unë nuk pretendoj shpërblim për atë që bëra, dua vetëm që Berisha t’i sigurojë jetën djalit tim, sepse mund t’i shkrepet ndokujt t’i bëjë keq dhe unë pa të s’kam ç’e dua jetën.”
Kush ishte atentatori?
Në gurët përqark shkollës dallohet dukshëm gjaku i tharë i Ilir Çetës, djalit që ditën e tij të lindjes, ndërsa mbushte 26 vjeç hodhi granatën mbi Berishën. Në shtëpinë e tij të madhe dhe të rregulluar kujdesshëm, në qendrën e Rrushbullit, derën ta hap nusja e vëllait e rrethuar nga fëmijët dhe të afërmit e komshinjtë, të gjithë të çuditur për ndodhinë e jashtëzakonshme. Motra e Ilirit të tregon se familja e tyre ka ardhur në vitin ’69 nga Borova e Peshkopisë. Në shtëpinë trashëgim nga babai jetojnë dy djem të martuar dhe dy vajza të pamartuara. Një djalë i familjes ka vdekur në moshën 10 vjeçare, i shtypur nga një makinë pranë shtëpisë. Pas vdekjes së babit 3 vjet më parë dhe ky i aksidentuar nga makina, ndërsa lëvizte me të shoqen me biçikletë, dy djemtë, duke qenë gollobordas e rrjedhimisht zanatçinj ndërtimi, iu kushtuan llaçit dhe tullave për të siguruar jetesën. Në 22 shtator Iliri martohet me një vajzë 20 vjeçare nga Rrushbulli që pas 2 muajsh do e bëjë baba. Të afërmit tregojnë se Iliri i ishte dedikuar vetëm punës, nuk njihte asnjë lloj ambienti tjetër veç rrugës shtëpi –punë. Lekët e grumbulluara gjatë këtyre viteve i kishte humbur të gjitha tek Xhaferri dhe Populli, por pa shfaqur zemërim të madh, vazhdonte të punonte edhe më shumë në pritje të lindjes së djalit. Politika nuk i ka interesuar kurrë, madje as lajmet nuk kishte kohë t’i shikonte. Jo vetëm nuk ka manifestuar kurrë ide të majta, apo të djathta, por edhe në votimet e 26 majit nuk kishte shkuar, pasi nuk i sollën fletë votimi.
Të mërkurën, ditën kur ka ndodhur ngjarja, Iliri nuk ishte në punë, pasi hoteli gjashtëkatësh ku ai punonte i kishte përfunduar punimet e jashtme. Ka shkuar në kafe, ku kamerierja të tregon se ka pirë një kafe dhe një teke ponç si ngaherë dhe pasi ka ngrënë drekë në shtëpi ka shkuar me të shoqen nga prindërit e saj. Atje ka ndenjur deri në orën 16.00 dhe mandej është nisur te tezja e tij në plazh, duke lajmëruar se dhe mund të flinte andej, siç bënte shpesh, qëkur 3 djemtë e saj ishin larguar për në Maqedoni. Njerëzit e shtëpisë nuk ishin bërë merak për mosardhjen e tij për darkë dhe ndërsa përgatiteshin të flinin, në orën 10.30 kanë dëgjuar të trokitura të forta.
Kur djali i madh ka hapur derën, policë të armatosur janë futur në shtëpi dhe kanë nisur kontrollin, pa treguar për ç’kishte ndodhur. Njëra nga vajzat ka kaluar gardhin për të lajmëruar djemtë e hallës, dhe ndërkaq shtëpia është kthyer përmbys. Një polic lajmëron me radio se në shtëpi nuk kishte armë dhe ndërsa njerëzit e shtëpisë që s’kishin asnjë ide për ç’kish ndodhur kërkojnë shpjegime, policët marrin me vete “për 5 minuta sqarim”, vëllain e Ilirit, i cili i ndoqi pas zbathur siç rrinte në shtëpi, nënën, nusen shtatzënë në muajin e shtatë, dy djemtë e xhaxhait, hallën 65 vjeçare me djalin dhe vjehrrin e Ilirit bashkë me djalin e tyre.
Ata që kanë ngelur në shtëpi të tregojnë se vetëm të nesërmen kanë marr vesh nga radio për ç’kishte bërë Iliri dhe se njerëzit e shtëpisë ndodheshin në Komisariatin e Policisë Durrës, ku janë ende. Ndërkaq në spital nuk i kanë lejuar të hyjnë dhe nuk dinë në ç’gjendje ndodhet Iliri.
Janë jo vetëm të çuditur, por nuk arrijnë të besojnë se ai mund të ketë kryer një akt të tillë, pasi jo vetëm s’kishte shprehur kurrë urrejtje për presidentin, por s’kishte pasur ndonjëherë asnjë lloj armë në shtëpi që edhe sikur t’ia jepte kush s’kishte pse ta përdorte, sepse ishte tip i zakonshëm, i qetë, shikonte punën e vet dhe familjen e vet. “E megjithatë- thonë ata- dhe nëse është e vërtetë ajo çka dëgjuam në televizor, që Iliri të ketë rrezikuar jetën e Presidentit, të paktën të trajtohet e gjykohet si njeri dhe të lirohen njerëzit e shtëpisë së tij, që s’kanë faj.” /dritare.net