Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, u shkroi udhëheqësve të Senatit të Shteteve të Bashkuara, duke u bërë thirrje që të votojnë pro antarësimit të Malit të Zi në NATO, duke thënë se një gjë e tillë është “në interesin e Shteteve të Bashkuara”. Në një letër të datës 7 mars, që agjencia Reuters thotë se e ka parë të martën, Sekretari Tillerson argumenton se anëtarësimi i Malit të Zi në këtë aleancë do të mbështesë integrim më të madh, reforma demokratike, tregti, siguri dhe qëndrueshmëri në mesin e fqinjëve të vet.
Moska kundërshton çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe vonesa e Amerikës në miratimin e anëtarësimit të Malit të Zi, ka nxitur pikëpyetje lidhur me vullnetin e administratës së presidentit Donald Trump dhe partisë së tij republikane për t’iu kundërvënë Rusisë, pavarësisht dëshirës së presidentit Trump për marrëdhënie më të mira.
Kjo letër shfaqet në kohën kur ka tërhequr vëmendje marrëdhëniea e sekretarit të ri të shtetit me aleancën. Reuters raportoi të hënën se Sekretari Tillerson nuk do të marrë pjesë në një takim me ministrat e jashtëm të NATO-s muajin e ardhshëm, pasi do të ndodhet në Uashington për të pritur presidentin e Kinës, si dhe është duke planifikuar një vizitë në Rusi që do të zhvillohet më pas, po në muajin prill.
Të martën, administrata propozoi data të reja për këtë mbledhje, e cila ishte caktuar për 5 dhe 6 prill në Bruksel. Mali i Zi, një republikë ish-jugosllave me një popullsi prej 650 mijë banorësh, shpreson të fitojë me kohë miratimin e nevojshëm nga të gjithë 28 aleatët e NATO-s për t’u bërë një anëtar i plotë gjatë një samiti në muajin maj. Deri në fillim të këtij muaji, 24 anëtarë e kanë miratuar anëtarësimin e Malit të Zi. Anëtarët e NATO-s e shohin pranimin e Malit të Zi si një mënyrë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë që të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan.
Kundërshtimet nga të paktën dy senatorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, kanë bllokuar votimin e shpejtë nga i gjithë senati në SHBA për disa muaj dhe udhëheqësit e Senatit nuk kanë planifikuar një votim të ri. Senatori Paul ka vënë në pikëpyetje maturinë e një akti që zemëron Rusinë dhe u shoqërohet për Uashingtonin me koston e përballimit të anëtarësimit për një vend të vogël, që nuk mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.
Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit të shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, dhe udhëheqësit të demokratëve në këtë dhomë, Chuck Schumer, Sekretari Tillerson ka thënë se do të ishte “jashtëzakonisht e dobishme”, nëse Senati planifikon një votim për të përfunduar procedurat e ratifikimit, para se presidenti Trump të shkojë në takimin e lartë të NATO-s në muajin maj.
“Pjesëmarrja e Malit të Zi në takimin e NATO-s në muajin maj si anëtar i barabartë dhe jo si vëzhgues, do të dërgojë një sinjal të fortë të unitetit transatlantik”, ka shtuar Tillerson.
“Është fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara që anëtarësimi i Malit të Zi në NATO të ratifikohet”, shkruan ai.
Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO tashmë është miratuar nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan.
ma.me