Nga Ardit Rada
E drejta e protestës është themelore për njeriun. Ajo garantohet nga ligji dhe mbarëvajtja e saj sigurohet nga policia. Kjo ndodh në të gjitha vendet demokratike përfshirë edhe Shqipërinë. Të protestosh është të ngresh zërin kundër diçkaje që nuk të pëlqen dhe më pas të kërkosh rrugën ligjore për të marrë përgjigje. Protesta ka një afat, një drejtues dhe merr një leje në organet kompetente për orarin dhe vendin ku do të zhvillohet.
Kur protestuesi vendos ultimatume, atëherë ai del nga korniza e protestës dhe hyn në atë që quhet rezistencë. Ai reziston ndaj ligjeve dhe rregullave politike e sociale duke përdorur çdo mjet përfshirë edhe atë jodemokratik.
Pas më shumë se një muaji të çadrës së ngritur në bulevard Partia Demokratike vijon në ultimatumin e saj duke e bërë një forcë politike deri dje serioze, që të ngjajë me një organizatë apo lëvizje. Në fakt kjo është dëshira e lidershipit të PD-së që dita-ditës e cilësojnë ‘lëvizje’ çadrën në Tiranë. Siduket, çadra do të mbetete gjatë në shesh përderisa kryeministri i ka kthyer përgjigje disa herë kërkesës për qeveri teknike ndërsa opozita vijon të këmbëngulë në ultimatum.
Qeveria shqiptare ka një përgjegjësi më të madhe në këto momente sesa të plotësojë dëshirat e PD që lindën një ditë të zymtë shkurti. Nëse një qytetar i pastrehë do të ngrinte një çadër për të fjetur diku në kodrat e Liqenit Artificial, a do ta ngrenin zgupthi? Institucionet duhet t’i japin fund lojës ku për të mos krijuar përplasje, shkelin vetë ligjin dhe përdorin standarde të dyfishta.
E gjithë kjo tolerancë nga qeveria bëhet po aq në emër të SHOW-t sa edhe vetë ngritja e çadrës. Kjo ështe e padurueshme! Zgjidhja ligjore është shumë e thjeshtë: Lulzim Basha të aplikojë te ALUIZNI dhe Artan Lame ta legalizojë çadrën. Në të kundërt, na lironi bulevardin nga ky ndërtim pa leje!