Nga Ben Andoni
Në një përpjekje për të audituar partitë shqiptare, gati një vit e gjysmë më parë, KQZ-ja nuk mundi të gjente fare pothuaj treçerekun e partive të regjistruara në votime! Por, kjo është më e pakta gjë, kur flitet për elementët që lidhen me demokracinë e brendshme të partive tona. Në faqet zyrtare, që për hir të së vërtetës, tashmë janë bërë shumë të bukura, nuk gjen asnjë nga aktet e miratuara zyrtare të partisë, raportet e monitorimit, kurse në faqet e tre partive kryesore PD, PS, LSI nuk ke asnjë publikim mbi numrin e anëtareve, burimet e financimit dhe aktivitetin e tyre historik, përpos shumë e shumë e gjërave, që duhet të jenë transparente.
“Pse ç’të duhet ty se çfarë bëjmë ne në partinë tonë”, iu përgjigj pak a shumë një nga ministrat e qeverisë socialiste një kolegut gazetar pak ditë më parë në hapësirën e një emisioni televiziv. Në një farë mënyre ky është qëndrimi i funksionarëve politikë kur pyeten për transparencën. Për hir të së vërtetës pakkujt i duhet, përveç një detyrimi që partitë shqiptare nuk ia kanë shumë idenë ose më saktë as nuk duan ta përfillin. Në Kushtetutën e Shqipërisë (neni 9) partitë politike detyrohen që të kenë organizim në përputhje me parimet demokratike dhe që burimet financiare dhe shpenzimet e tyre të jenë kurdoherë publike. Kjo nuk ndodh, ndërsa në akuzat e tyre ato flasin vetëm për burimet e financimit.
Për çdo vit në traditën e saj të viteve të fundit, Friedrich Ebert Stiftung mbështet një projekt për hartimin e një raporti mbi demokracinë e brendshme të partive politike në Shqipëri. Afrim Krasniqi autori i saj për vitin 2016 dhe bashkautor në disa syresh, si çdo vit në mënyrë të kujdesshme shpalos të gjithë anomalitë e këtij fenomeni. Por edhe pse këto janë të dukshme, ato shtohen për çdo vit me elementë të rinj, ndërsa tregojnë për mungesë totale të interesit të partive dhe sidomos kupolave të tyre për të respektuar elektoratin e tyre dhe sidomos demokracinë, që duhet ta projektojnë në të gjithë segmentet e jetës shqiptare.
Kështu përshembull asnjë nga partitë nuk e ka respektuar statusin e saj dhe detyrimin për mbledhje periodike të Asamblesë Kombëtare/Këshillit Kombëtar, por qoftë edhe të kryesisë dhe strukturave të tjera vendimmarrëse. PD-ja ka bilancin më negativ, kurse PS-së i mungon një axhendë dhe debati në këto struktura. Por paradokset vazhdojnë te praktikat statuore që reflektojnë thjesht mosfunksionimin, ku qëndrimi i strukturave duket në trajtimin real me kritikët, shumica e tyre mbeten jashtë përcaktimit statusor dhe konform qëndrimeve që rrjedhin nga respektimi i statusit, citojmë raportin..
Partitë shqiptare megjithëse e kanë promovuar kinse të drejtën e informimit , vetë nuk përmbushin as standardet minimale të zbatimit të tij. Dhe janë aq të mbyllura për votuesit por edhe pjesën tjetër saqë refuzojnë jo vetëm transparencën por edhe llogaridhënien publike. Në faqet e tyre nuk gjen asgjë që të gjykosh për veprimtarinë e partisë, veç punës së kryetarit.
Vrojtimi i Institutit të Studimeve Politike ka nxjerrë se vetëm 12 parti nga 126 syresh të regjistruara kanë raportuar ndryshime, pjesa tjetër refuzon detyrimin ligjor, kurse (kjo e kalon humorin) ka ende parti politike, të cilat janë të regjistruara me kryetarë që nuk jetojnë më. Dhe, nuk mbaron këtu. KQZ në përpjekje për t’i audituar 118 parti të regjistruara më 2015, nuk mundi të kontaktojë asfare plot 71 parti politike!!!
Aktiviteti kryesor i partive mbetet në rrjetet sociale dhe këtu është demokracia e vërtetë e informimit, sipas koncepteve të tyre, pasi e dinë se krijojnë audiencë të gjerë por që nuk kanë vlerën e referimit, të arkivit të qëndrueshëm. Dhe, ato mbeten edhe burimi mediatik dhe treguesi real i mungesës së demokracisë sepse në vend të transparencës që mund të bëhet, ato thjesht promovojnë njëshin, atë që ka në dorë gjithçka dhe që është i interesuar që gjërat të mbeten kështu. (Javanews)