Qindra të moshuar në Tiranë po përballen me akuza penale dhe me dërgimin në gjyq, pasi kanë falsifikuar dokumentet e të dhënat me qëllim përfitimin e pensioneve. Nga janari i 2017-s e deri tani, Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq më shumë se 300 dosje penale ndaj shtetasve të akuzuar për raste të përfitimit të pensioneve të padrejta.
Lajmi është bërë me dije nga burime të organit të akuzës, që thanë se të pandehurit janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “mashtrimi në sigurime”, parashikuar nga neni 145 i Kodit Penal. Në këtë nen thuhet se “paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Kjo është vepra penale për të cilën akuzohen qindra qytetarë nga Tirana dhe zona të tjera që përfshihen në qarkun e kryeqytetit. Pikënisja e këtyre hetimeve ka qenë hapja e mijëra çështjeve penale nga prokuroria gjatë vitit të kaluar për çështjet e abuzimit me pensionet.
HETIMET
Ka qenë një audit i kryer nga Drejtoria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në qendër dhe Drejtorisë së Tiranës për periudhën deri në vitin 2016, që ka zbuluar me mijëra raste falsifikimi. Më konkretisht, janë kontrolluar dosjet e daljes në pension të shtetasve të ndryshëm dhe gjatë auditit mësohet se janë gjetur vetëm në Tiranë 1500 raste. Kallëzimet janë përcjellë për ndjekje penale në prokurori, pasi falsifikimi i përmbajtjes së dosjeve mbi të cilat bëhet dalja në pension përbën vepër penale.
Prokuroria e Tiranës, pasi ka marrë në dorëzim kallëzimin penal për rastet, ka nisur hetimin e tyre. Hetimi është kryer me veçimin e dosjeve dhe kryerjen e veprimeve hetimore rast pas rasti. Nga janari i këtij viti deri tani, prokuroria ka arritur që të përfundojë hetimet e të dërgojë në gjykatë më shumë se 300 raste. Pas përfundimit të hetimeve dosjet janë dërguar në gjykatë, ku vazhdon gjykimi me akuzën e “mashtrimit në sigurime”.
FALSIFIKIMET
Në pjesën dërrmuese të rasteve të denoncuara nga auditi i ISSH-së, prokuroria ka konfirmuar faktet e gjetura gjatë kontrollit total të dosjeve. Elementi kryesor i përfituesve të pensioneve të padrejta ka qenë falsifikimi i dokumenteve dhe i të dhënave të moshës. “Ka pasur raste të rritjes fiktive të moshës, nga 5 deri në 15 vjet, me qëllim përfitimin e pensionit para kohe”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, skema tjetër e abuzimit lidhet me dokumentacionin e viteve të punës.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë gjetur se qytetarët e ndryshëm kanë falsifikuar dokumentet në lidhje me vitet e punës për efekt të përfitimit të pensionit. Nga ana tjetër, ka rezultuar se një numër kë i kufizuar rastesh ka të bëjë me falsifikimin e dokumenteve për natyrën e punës në rastet e paraqitjes së të dhënave sikur përfituesi ka punuar në minierë, apo profesione të tjera që kanë përllogaritje pensioni të lartë./Panorama/a.m.